Gjykata e Posaçme e Apelit ka rrëzuar kërkesën e dorëzuar nga kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i arrestuar për tre raste nga SPAK prej 21 tetorit 2024 dhe me masë sigurie “arrest me burg”.
Meta kërkonte zëvendësimin e masës së sigurisë dhe lirimin nga qelia. Ky vendim ka sjellë edhe pakënaqësinë nga mbrojtësi i tij ligjor, Kujtim Cakrani, i cili bëri edhe një deklaratë për mediat sot (18 qershor).
Ai kërkoi që KLGJ të merrte masa ndaj gjyqtares që nuk shqyrton kërkesat e tij për përjashtim të magjistrates së çështjes.
“KLGJ duhet të marrë masa ndaj gjyqtares. Nuk zbatuan vendimin e Gjykatës së Lartë. Nuk mund të tallen me procesin gjyqësor. Kam bërë kërkesa për përjashtimin e gjyqtarëve dhe kam marrë gjoba për atë. Nëse u bë reforma në drejtësi u bë pikërisht për këtë sjellje të gjyqtarëve. Kjo është tallje që bëhet me opinionin publik dhe me të gjithë sistemin e drejtësisë, ndaj jam edhe i irrituar. Gjyqtarja Dollani ka frikë ta shqyrtojë kërkesën”, tha ai mes të tjerash.
© Panorama.al












