Iku me vajzën pasi vrau gruan, gjendet 2-vjeçarja

Nov 7, 2011 | 18:11
Shtepia ku ndodhi krimi

Një efektiv i policisë private vrau dje gruan e tij pranë mbikalimit të Kamzës në Tiranë, ndërsa u largua nga vendi i krimit menjëherë duke marrë me vete edhe vajzën 2 vjeçe. Policia njoftoi mbrëmjen e së hënes se vajza është gjetur tek të afërmit e Ismet Hysës, policit privat i cili një ditë më parë vrau gruan. Policia njoftoi gjithashtu se po punon për kapjen e autorit të krimit, vendndodhja e të cilit ende nuk dihet. Sipas policisë kërkimet janë shtrirë edhe në qytetin e Tropojës, vendi i origjinës së 37- vjeçarit, ndersa po bashkepunohet ngushte edhe me familjaret per mundesite e dorezimit te autorit te krimit.

Shkak për krimin e rëndë në ditën e Kurban Bajramit kanë qenë mosmarrëveshjet në çift dhe xhelozia. Shtetasja Edlira Doçi, 27 vjeçe, u qëllua disa herë me thikë në prani të vajzës së saj vetëm 2 vjeçe nga shtetasi Ismet Hysaj, 37 vjeç, bashkëshorti i saj.

Krimi në familje ndodhi në afërsi të rrethrrotullimit të Doganës, në katin e parë të një vile, ku çifti jetonte me qira prej rreth 6 muajsh. Gruaja e vrarë, 27-vjeçarja Edlira Doçi, bashkëjetonte me shtetasin Ismet Hysaj, polic privat në një shoqëri të ruajtjes fizike, me të cilin nuk kishte bërë ende celebrim. I dyshuari bashkëjetonte me viktimën prej disa vitesh, pasi ishte divorcuar nga gruaja e parë, me të cilën ka edhe një djalë 12 vjeç. Burime nga Policia thanë se viktima e ngjarjes së djeshme punonte prej kohësh si kameriere në një lokal tek ish-Blloku.

Dyshohet se puna që ajo bënte të ketë qenë sebep i grindjeve të vazhdueshme me bashkëshortin polic privat. Të njëjtat burime konfirmuan se kanë shpallur në kërkim autorin, i cili menjëherë pas ngjarjes është “arratisur” bashkë me vajzën 2 vjeçe. Forcat e rendit kanë shoqëruar për të marrë në pyetje disa prej fqinjëve të çiftit dhe të zotët e shtëpisë, ku protagonistët e ngjarjes jetonin me qira. Policia ka pyetur edhe disa të afërm dhe miq të çiftit në lidhje me konfliktet që ata kishin me njëri-tjetrin.

© Panorama.al

Te lidhura