Epoka politike shtatëmbëdhjetëvjeçare e Berluskonit ka përfunduar mbrëmë, kur ishkryeministri i shumëpërfolur italian dha dorëheqjen në pallatin presidencial rreth orës 20:30, pas miratimit të ligjit të stabilitetit ekonomik.
Dhoma e Ulët e Parlamentit italian votoi mbrëmë ligjin e stabilitetit, pas miratimit që ky ligj kishte marrë të premten në Senat, duke i hapur udhë dorëheqjes së Berluskonit dhe formimit të një qeverie të re, e cila do të ketë detyrën të përmirësojë situatën e krijuar nga kriza e borxhit deri në pranverë, kur pritet të caktohet data e zgjedhjeve të ardhshme. Berluskoni mori pjesë në një mbledhje të fundit qeverie të shtunën, priti votën në Dhomën e Ulët, zhvilloi një takim me PDL-në dhe më pas iu drejtua pallatit Quirinale, ku takoi Presidentin Napolitano për të dhënë dorëheqjen, ashtu siç kishte planifikuar. Ish-komisionari europian, Mario Monti, një figurë e respektuar në Europë, do të jetë drejtuesi i qeverisë së re të tranzicionit, por kushti i vënë nga PDL-ja është që ai të mos kandidojë në zgjedhjet e ardhshme. Aleatët e Berluskonit nuk janë të vendosur për ta mbështetur atë dhe kushtet e vëna prej tyre bëjnë që Monti të humbasë mbështetjen e partive të opozitës. Ndërsa e gjithë bota ka shprehur vlerësimin për Montin, Kryeministri rus, Vladimir Putin ka deklaruar se Berluskoni është “një nga të fundmit e mohikanëve të politikës europiane”, i cili ka sjellë stabilitet në Itali.
TAKIMI BERLUSKONIMONTI
Mario Monti do të jetë Kryeministri i ri teknokrat i qeverisë së unitetit në Itali. Lajmi u bë i besueshëm që në drekë, kur kryeministri në largim, Berluskoni, e ftoi Montin për drekë në zyrën e tij, një takim që zgjati rreth dy orë. Puna e Montit nuk pritet të jetë e lehtë. Gjatë takimit me Berluskonin, Monti duket se ka pranuar teorikisht që zëvendës i tij në qeverinë e re të jetë Xhani Leta, bashkëpunëtor besnik i Berluskonit. Kur lideri i IDV (Italia e Vlerave), Antonio Di Pietro, ka mësuar këtë plan, ka kërcënuar se nëse Leta do të jetë numri dy i qeverisë, atëherë kjo qeveri nuk do ta ketë mbështetjen e tij, edhe pse më parë Di Pietro kishte deklaruar admirim për Montin. Ministri i Brendshëm, Roberto Maroni, nga Lega Nord, e bëri të qartë se ata do të jenë një parti opozitare për çdo qeveri “Monti”, duke refuzuar kështu të bëhen pjesë e koalicionit që Mario Monti do të përpiqet të formojë.
FESTA DHE KONTESTIME
Në sheshin përpara pallatit të Presidencës, pallatit të Dhomës Përfaqësuese dhe Kryeministrisë ishin mbledhur qindra italianë, ku shumë prej tyre brohorisnin largimin e Berluskonit në kor me këngë, fyerje dhe fishkëllima. Shumë mbanin parulla ku ishte shkruar: “Më në fund”, “Faleminderit Napolitano”, “U çliruam”, etj. “Shpreh hidhërim për këto kontestime”, ka deklaruar ai.
“Le Monde”: Berluskoni i mjerë, e la Italinë siç e gjeti
E përditshmja franceze “Le Monde” i ka kushtuar një speciale largimit të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, nga detyra. “Pas këtyre dhjetë viteve mbretërim gjatë 17 viteve të fundit, Berluskoni po e lë Italinë pak a shumë në gjendjen që e ka gjetur kur mori qeverinë për herë të parë, në vitin 1994. Por, për sa i përket pasurive të tij personale dhe larmisë së proceseve gjyqësore,
gjithçka është shumë më mirë se atëherë”, shkruan “Le Monde”, duke e cilësuar Kryeministrin në komentet e saj, “të mjerë”, sepse nuk ka arritur të realizojë asgjë nga ato që ka premtuar.
“Jetimet” e Berluskonit në Parlament
“Jetime”. Kështu i ka quajtur prestigjiozja “Corriere della Sera” deputetet e reja që ka futur në Parlament Silvio Berluskoni. Në një koment pak para largimit të Kryeministrit italian (Presidentit të Këshillit) nga detyra, gazeta shkruan se për të rejat asgjë nuk do të jetë më si më parë. “Nuk do të ketë më vrap të shfrenuar për të bërtitur pranë tij në sallën e Parlamentit, pas çdo votëbesimi: ‘Rroftë Presidenti!’, ‘President i madh!”, ‘Je i vetmi President!’”, shkruan gazeta. Në përgjimet e fundit, një pjesë e tyre komentohen si pjesëmarrëse në festat bunga-bunga të Berluskonit.
© Panorama.al











