
Rreth 70 punonjës të Ndërmarrjes së Shërbimit Funeral, për mirëmbajtjen e varrezave në Sharrë dhe Tufinë janë larguar nga puna. Struktura e re e personelit të Bashkisë së Tiranës, e miratuar para disa ditësh në Këshillin Bashkiak, parashikon që punën e saj ta kryejë ndërmarrja nr 1 e gjelbërimit në kryeqytet. Duke e cilësuar të padrejtë vendimin, prej dy ditësh punonjësit e shkurtuar protestojnë përpara Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar sqarime. Për këtë çështje reagoi dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Edmond Panariti. Ai sqaroi se ndryshimet e strukturës janë në përputhje me filozofinë e re të Bashkisë së Tiranës, për të shkurtuar shpenzimet e tepërta. “Bashkia nuk mund të paguajë dy persona për te njëjtën punë. Funksionet që kryheshin deri tani, janë transferuar dhe janë pjesë e funksioneve të ndërmarrjes numër 1 të kryeqytetit. Për rrjedhojë, kemi edhe këto ndryshime të strukturës së personelit, të cilat janë plotësisht të justifikuara, sepse shkurtojnë shpenzime të pajustifikuara që shkojnë për paga, që nuk u përgjigjen funksioneve specifike të punës që duhet kryer”, tha Panariti. Sipas tij, për këtë vit një pjesë e madhe e fondeve do të shkojë për investime në objekte. Vetë kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha, përpara mbylljes së vitit ka theksuar se mbetet objektiv kryesor në 2012-n zvogëlimi i shpenzimeve të tepërta për administratën dhe rritja e investimeve në infrastrukturë e përmirësimi i jetës në Tiranë. Buxheti i vitit 2012 parashikon trefishim të investimeve publike të detajuara, sipas disa projekteve të veçanta. Një pjesë e këtyre projekteve janë strategjike, ndërsa të tjera janë të veçanta për secilën nga njësitë bashkiake.











