Humbja me Novarën i vuri vulën fatit të Xhanpiero Gasperinit në pankinën e Interit, por konfirmimi zyrtar nga ana e klubit nënkampion Italie ka ardhur vetëm mesditën e djeshme. Saktësisht, në orën 12:30 minuta, uebsajti zyrtar i zikaltërve ka shpallur lajmin se Xhanpiero Gasperini nuk do të jetë më trajneri i skuadrës së Interit. Ndërkaq, është gjetur menjëherë zëvendësuesi: Klaudio Ranieri do të zyrtarizohet ditën e sotme si trajneri i ri i Interit. 60-vjeçari roman, i cili kishte shtatë muaj që nuk drejtonte më, pasi dha dorëheqjen nga pankina e Romës më 20 shkurt të vitit 2011, tashmë është gati të bëjë rikthimin e shumëpritur, në një pankinë prestigjioze, por jashtëzakonisht në vështirësi, si ajo e Interit. Pasditen e djeshme palët kanë rënë dakord mbi detajet e kontratës dhe sot nis “epoka Ranieri” te Interi.











