Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi fushatën e saj zgjedhore në Kavajë dhe në Shijak. Në Kavajë, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi se vota për këtë parti është një votë për çështjen kombëtare, që nis nga padrejtësitë historike të kombit shqiptar e deri tek nevojat e tanishme të qytetarëve tanë. Idrizi theksoi se zhvillimi ekonomik i Shqipërisë dhe shqiptarëve është thelbi i programit të PDIU-së dhe se ky zhvillim realizohet vetëm nëpërmjet bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës. “Në këto zgjedhje do të kemi mundësi të tregojmë se shqiptarët janë të bashkuar për të çuar në vend amanetin e të parëve, duke rregulluar padrejtësitë historike të bëra ndaj kombit shqiptar prej vitit 1913. Por, ne jemi edhe partia e patriotizmit modern shqiptar, e patriotizmit pragmatik. Sepse, që kombi ynë të jetë i fortë, duhet që mirëqenia e qytetarëve shqiptarë të jetë e lartë. Në thelbin e programit tonë është zhvillimi ekonomik, që vjen vetëm nëpërmjet bashkimit ekonomik të Shqipërisë dhe Kosovës, duke krijuar një treg shumë herë më të madh, që rrit pagat dhe privilegjet e të gjithë shqiptarëve”, tha Idrizi. Kryetari i PDIU-së deklaroi se kjo parti konkurron në të gjithë vendin nga Vermoshi në Konispol për të çuar përpara axhendën kombëtare. Ndërkaq, u bëri thirrje kavajasve që të votojnë PDIU-në, si partia kombëtare shqiptare.











