Idrizi te tregu çam: Produktet shqiptare duhet të kenë përparësi

May 5, 2011 | 11:07

Nga Njësia Bashkiake Nr. 10, kreu i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, si dhe Presidenti i Nderit i kësaj force politike, hodhën idenë për një projekt ekonomik për kthimin e tregut shqiptar me parametra europianë. Sipas tij, PDIU-ja së bashku me tregtarët, do të hartojnë dhe zbatojnë një platformë, që ta kthejnë këtë ambient që njihet si “tregu çam”, në një treg të mirfilltë funksional. Duke biseduar me disa tregtarë që sheshin produkte artizanale, të cilët i bënë të njohur problematikën e tyre, Idrizi tha: “Programi i PDIU-së është një program kombëtar. Normalisht, çdo ekonomi europiane mbron produktet që prodhohen në vend, e aq më tepër produktet artizanale. Ne kemi këmbëngulur që të vendoset përparësi ndaj këtyre produkteve. Normalisht, ky projekt do të shkojë edhe më tej, pas suksesit në zgjedhjet e 8 majit”. Idrizi deklaroi më tej, se me projektin ekonomik të PDIU-së, do të fuqizohen produktet shqiptare, si pjesë e programit për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Ai u premtoi tregtarëve mbulimin e tregut dhe ndalimin e automjeteve aty gjatë orarit të ditës. Ndërkaq, Idrizi i ftoi të gjithë banorët e Tiranës që të bashkohen me këtë parti në tubimin për mbylljen e fushatës që do të zhvillohet sot në orën 18:00, në sheshin “Nënë Tereza”. “Unë ju ftoj të gjithëve që të bashkoheni me ne në këtë aktivitet madhështor. Ju siguroj se do të jetë një ndër takimet më të bukura që keni parë në 20 vitet e fundit”, theksoi kryetari i PDIU-së.

© Panorama.al

Te lidhura