Ibrahimoviç-PSG, të hënën prezantimi

Jul 14, 2012 | 13:08
Ibrahimoviç

Tashmë mund ta quani “Monsieur” Zlatan Ibrahimoviç. Sulmuesi i Milanit duket se ka mbyllur gjithçka procedurale me klubin e PSG-së dhe brenda ditës së hënë (siç konfirmon media franceze dhe italiane) do të jetë në selinë e skuadrës transalpine për të firmosur kontratën e tij të re, e cila do i japë fund aventurës 2-vjeçare të 30-vjeçarit në radhët e kuqezinjve. Edhe pse në orët e fundit, Leonardo kishte tentuar të ulte disi pretendimet e Ibrës për pagën nga premtimi i tij për 15 milionë euro neto në sezon plus bonuse, bisedimet e shpeshta dhe provokimet e menaxherit Mino Raiola kanë bërë efekt, duke arritur akordin mbi bazën e 14.5 milionë eurove në sezon, plus bonuse sezonale. Tashmë, mes palëve pritet vetëm firma në kontratë, ndërsa Milani përgatitet të arkëtojë shumë shpejt 62 milionë euro, shifër kjo që përfshin edhe kartonin e mbrojtësit brazilian Tiago Silva, i cili ashtu si Ibra e ka tashmë gati kontratën, duke qenë që ajo ishte përpiluar rreth një muaj më parë. Por, ndryshe nga herët e kaluara, tashmë nuk pritet të ketë asnjë surprizë apo një kthim mbrapa, sepse fakti që Milani pritet të shpëtojë plot 108 milionë euro paga nga largimi i dy futbollistëve, ka bindur Silvio Berluskonin t’i shesë. Të hënën në Paris, së bashku me Zlatan Ibrahimoviçin, pritet të jetë edhe Tiago Silva.

Raiola: Zlatani, si Monaliza
Mino Raiola është rikthyer të flasë për median europiane, e grumbulluar e gjitha në Paris në pritje të mbylljes së tratativës mes Zlatan Ibrahimoviçit dhe PSG-së. “PSG-ja ka ulur pretendimet? Ata duhet të binden se Zlatani është numri një në rolin e tij. Ai krahasohet me një tablo kryevepër, si për shembull ‘Monaliza’, diçka unike, diçka që vetëm PSG-ja dhe Siti mund t’ia lejojnë vetes. Nëse dikush e do klientin tim, atëherë duhet ta meritojë atë”.

© Panorama.al

Te lidhura