“Do të jetë një ndeshje emocionuese, fantastike. Do të luajmë kundër skuadrës më të fortë në botë, pa dyshim. Barcelona ishte e tillë edhe kur ika unë, e dija, por largimi prej andej ishte zgjidhja më e mirë”.
Zllatan Ibrahimovic rrëfen se për të luajtur futboll ka nevojë të jetë i lumtur, pasi është e rëndësishme që të ndihesh mirë në ambientin ku aktivizohesh. Te Milani, në këtë aspekt duket se ka gjetur maksimumin.
“Mendoj se Milani është klubi më i mirë, ku kam luajtur ndonjëherë. U ndieva si në shtëpi që nga dita e parë dhe të gjithë më pritën krahëhapur. Milano është shtëpia ime e dytë, pas Malmos, ku kam lindur dhe jetuar për shumë vjet. Në ndeshjen e parë, në “Camp Nou”, mungova për shkak të një dëmtimi, ndërsa ndeshja e kthimit në “San Siro” do të jetë për mua më shumë një ndeshje prestigji. Është bukur të arrish vendin e parë në grup, por ndonjëherë është mirë dhe vendi i dytë. Të dy rezultatet mund të jenë pozitivë ose negativë. Në këtë kompeticion do të takosh gjithmonë një skuadër të fortë dhe për ta fituar duhet t’i mundësh të gjithë. Disa vjet më parë, Championsi ishte objektivi im parësor, por nëse e do shumë dicka, ndodh që nuk e fiton kurrë. Tani dua thjesht të fitoj gjithcka që mundemi. Nëse ia dal, mirë, nëse jo, kjo nuk do të peshojë në karierrën time. Nëse fiton, kjo ndodh jo sepse ti je numri një, por sepse e tillë është skuadra ku luan”.
Kur la Barcelonën për të kaluar te Milani, në vitin 2010, Zlatan Ibrahimoviç e dinte se po largohej nga skuadra më e fortë e botës. Në sezonin e tij të vetëm në “Kamp Nou”, suedezi shënoi në total 21 gola, por nuk mjaftuan për krijuar një marrëdhënie harmonie me klubin katalanas. Sidoqoftë, në pritje të sfidës së të mërkurës në Milano, ai është i bindur se ka bërë zgjedhjen më të mirë.











