Ibra-Robinjo mbajnë në “shina” Milanin

Jan 23, 2012 | 12:43

Foto ilustrative

Serie A/ Fiton Udineze, festival golash në Palermo, barazon Napoli e Fiorentina

Zlatani “vret” Novarën me një dopietë në pjesën e dytë

Milani fiton në Novara duke ruajtur largësinë, -1 pikë me Juventusin. Bindin këtë javë edhe Udineze me Palermon, ndërsa barazojnë Napoli dhe Fiorentina në transferta. Milani arrin ta thyejë atë “mur human”, që kishte ngritur skuadra e Novarës përpara portës së Ujkanit dhe kthehet në Milano me tri pikë në xhep. Në stadiumin “Silvio Piola”, pjesa e parë mbyllet pa gola, kurse në 45-minutëshin e dytë sulmuesit kuqezinj që në minutat e para do të fillojnë të dialogojnë më mirë me njëri-tjetrin, për meritë të El Sharauit. Falë këtij ndryshimi, Milani do të arrijë ta zhbllokojë takimin me anë të dy golave, respektivisht të Ibrahimoviçit dhe Robinjos. “Djalli” harron derbin dhe rigjen rrugën e fitoreve, ndërsa Novara qëndron në zonën e ftohtë të tabelës së klasifikimit. Vendësit e nisin ndeshjen siç pritej, në mbrojtje. Milani merr që në fillim frerët e takimit, por e ka të vështirë të shënojë përpara dhjetë mbrojtësve, të cilët mbyllin çdo hapësirë dhe hidhen për të rikuperuar çdo top të diskutueshëm. Novara luan me mish e me shpirt. Portieri Ujkani ia mohon të paktën katër herë shijen e golit Zlatan Ibrahimoviçit. Ndërsa Karaçolo dy herë shpëton Novarën nga pësimi i golit, një herë ndalon me këmbë një gjuajtje me kokë të Tiago Silvës, si dhe goditjen e Mekses. Por goli ia lehtëson punën skuadrës së Milanit. Sakaq, të vetëdijshëm në forcat e tyre, kuqezinjtë e kontrollojnë takimin dhe gjejnë golin e dytë falë një asisti të El Sharauit. Noçerino e kontrollon në mënyrë të dyshimtë topin në zonë, më pas ia pason El Sharauit, ku i fundit ia dorëzon me portën bosh Robinjos, i cili shënon. Braziliani nuk shënonte që prej 6 nëntorit. Novara përpiqet të luajë me ballin lart, ndonëse nuk e ka të lehtë përballë mbrojtësve të Milanit, ndërsa në krah të majtë Emanuelson tregon se ndihet mjaft mirë. Ndërsa El Sharaui vazhdon të dialogojë mjaft mirë me Ibrën, Robinjon dhe Noçerinon. Gjatë minutave të fundit, Alegri zëvendëson Robinjon me Merkelin. Por, do të ishte sërish El Sharaui që do të godiste portën e Novarës. Ndërkaq, Ujkani arrin ta shtyjë si gjuajtjen e fantazistit kuqezi, por topi përfundon në zonën e Ibrahimoviçit, i cili me thembër e dërgon atë në rrjetë. Në takimet e tjera u arritën katër barazime: Kaljari-Fiorentina (0-0), Bolonja-Parma (0-0), Leçe-Kievo (2-2) dhe Siena-Napoli (1-1). Pikërisht kjo e fundit mund të konsiderohet një surprizë, pasi napolitanët humbën edhe një penallti me anë të Kavanit. Por nuk gabon Udineze, e cila mund jo pa vështirësi Katanian, ndërsa një festival i vërtetë golash u shënua në Siçili, ku Palermo mundi 5-3 Xhenoan.

Ujkani “luan mendsh” Ibran
Portieri i Kombëtares shqiptare, Samir Ujkani, ka qenë fantastik me pritjet e tij gjatë ndeshjes Novara-Milan. 24-vjeçari, pavarësisht se ka pësuar tre gola, e ka shpëtuar portën e tij të paktën në 4 raste. Gjatë pjesës së parë, Ujkani e ka luajtur mendsh sulmuesin e Milanit. Të katërta gjuajtjet e suedezit e kanë gjetur të përgatitur portierin e Novarës, i cili falë reflekseve që ka, i mohoi atij shijen e golit. Ia vlen për t’u përmendur në rastin e golit të parë, por edhe në të dytin Ujkani nuk mundi të bënte më shumë, pasi si Ibrahimoviçi, por edhe Robinjo, u nxorën para portës në pozicione të volitshme.

Seria A
Të shtunën
Roma-Çesena            5-1
Shënues: Toti 1’, 8’, Borini 9’, Juan 62’, Pjaniç 70’/ Eder 59’
Atalanta-Juventus        0-2
Shënues: Lihshtajner 54’, Xhakerini 81’
Dje
Bolonja-Parma            0-0
Leçe-Kievo            2-2
Shënues: Esposito 30’, Di Mikele 90’/ Paloski 3’, 24’
Novara-Milan            0-3
Shënues: Ibrahimoviç 57’, 90’, Robinjo 73’
Palermo-Xhenoa        5-3
Shënues: Budan 26’, Silvestre 37’, Mantovani 42’, Mikoli 75’, Miliaçio 84’/ Palasio 13’, 59’ (p), Jankoviç 89’
Siena-Napoli            1-1
Shënues: Kalajo 67’/ Pandev 86’
Udinese-Katania        2-1
Shënues: Izko 20’ (autg), Di Natale 53’/ Lodi 90’ (p)
Kaljari-Fiorentina        0-0
Inter-Lacio            2-1
Shënues: Milito 44’, Pacini 64’/ Roki 30’

Renditja
Nr. Ekipi            P    ND
1. Juventus             41     19
2. Milan                 40     19
3. Udinese             38     19
4. Inter                 35     19
5. Lazio                 33     19
6. Roma             30     18
7. Napoli             29     19
8. Palermo             24     19
9. Kievo                 24     19
10. Xhenoa             24     19
11. Kaljari             23     19
12. Parma             23     19
13. Katania             22     18
14. Fiorentina             22     19
15. Atalanta             20     19
16. Bolonja             20     19
17. Siena             19     19
18. Çesena             15     19
19. Leçe             13     19
20. Novara             12     19

© Panorama.al

Te lidhura