
Dje rreth orës 03:00, blutë kanë shkuar në banesën e mjekut Ndue Çupi, 66 vjeç, i cili është edhe shefi i kirurgjisë së spitalit të Lezhës. Arrestimi i tij është bërë pas urdhër- ndalimit të firmosur nga Prokuroria e rrethit. Familjarët e viktimës Mark Ndoka kanë denoncuar rastin në Prokurori, duke pretenduar se 51-vjeçari kishte ndërruar jetë për faj të mjekëve. “Arrestimi i tij është bërë në zbatim të vendimit penal datë 21.11.2011, të Gjykatës së Lezhës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, bëri të ditur Policia. Sipas burimeve të Policisë, mjeku Ndue Çupi ka qenë në hetim që nga muaji prill i këtij viti. Prokuroria ka pritur edhe konkluzionin e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, për të firmosur urdhrin e arrestit. Mësohet se Çupi është akuzuar nga djali i viktimës Mark Ndoka, banues në Lagjen Nr. 3 të Laçit. Viktima ka ndërruar jetë në spitalin e Lezhës, në prill të këtij viti. Ai ishte paraqitur në spital me dhimbje të forta barku, ndërsa mjekët pas ekzaminimeve të kryera konstatuan se ai kishte pësuar plasje të apendicitit. Në këto kushte, pas konsultave edhe me mjekët e tjerë, shefi i kirurgjisë, Ndue Çupi, ka kryer ndërhyrjen, e cila doli me sukses. Por shtatë ditë pas operacionit, kur Mark Ndoka ishte përmirësuar dhe do të dilte nga spitali, papritmas gjendja e tij është përkeqësuar. Ai është ankuar për dhimbje të menjëhershme në gjoks e në trup. Mjekët, së bashku me shefin e kirurgjisë Çupin, janë kujdesur për ta mbajtur në jetë Ndokën, por ai ka gjetur vdekjen disa momente më pas. Pas ngjarjes, familjarët kanë kryer denoncimin. Prokuroria nisi hetimet dhe kërkoi konkluzionet e ekspertëve të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nga ku ka rezultuar se viktima kishte gjetur vdekjen nga “Tromboembolia Pulmonare” (Tromboza). Mjeku Çupi nuk i kishte injektuar atij koagulantë për hollimin e gjakut. Për këtë shkak, mjeku akuzohet për veprën penale të “mjekimit të pakujdesshëm”. Mësohet se pas denoncimit të viktimës, ekspertë të Mjekësisë Ligjore kanë mbërritur në Lezhë, duke marrë edhe kopjen e kartelës së Mark Ndokës. Pasi kanë analizuar me kujdes të gjitha të dhënat e vendosura në kartelë, ekspertët kanë vërejtur se kirurgu Ndue Çupi nuk kishte përdorur koagulantë, pas operacionit për të holluar gjakun e pacientit. Gjatë marrjes në pyetje në Prokurori, mjeku Çupi është shprehur se e kishte përdorur koagulantin, por për shkak se gjendja e pacientit kishte qenë e rëndë, ai kishte nxituar dhe më pas kishte harruar ta shënonte në kartelë. “Jam i bindur që ai nuk ka gjetur vdekjen për fajin tonë, por për shkak të komplikacioneve që ka pasur dhe qëndrimit për një kohë të gjatë me apendicit të plasur. Më vjen keq për humbjen e jetës, pasi asnjë mjek nuk dëshiron një gjë të tillë. Unë jam i bindur që edhe familja e viktimës është e nxituar në ato çfarë ka shprehur”, ka deklaruar në Prokurori mjeku Çupi.
Drejtori i Spitalit: Arrestimi i nxituar, mjeku i pafajshëm
Drejtori i spitalit të Lezhës, Nevruz Bara, u shpreh dje se shefi i kirurgjisë ishte i pafajshëm. Sipas tij, Çupi ka qenë dhe mbetet një nga mjekët më të mirë të spitalit të Lezhës.
Z.Bara, si e mësuat arrestimin e mjekut Ndue Çupi?
Një ditë para arrestimit më ka ardhur shkresa në zyrë. Mbeta i shokuar. Kontaktova me Çupin, i cili është shefi i kirurgjisë së këtij spitali. Edhe për të ishte e papritur dhe e përjetoi keq.
Cila ka qenë akuza?
Ai akuzohet për mjekim të pakujdesshëm të Mark Ndokës nga Laçi.
A keni kryer konsulta për rastin në fjalë?
Ndue Çupi është një nga mjekët më të mirë të spitalit të Lezhës. Ai ka vite në këtë profesion dhe nuk ka pasur për të asnjë ankesë apo probleme me punën. Unë kam parë edhe kartelën. Kam pyetur personalisht Çupin, i cili ishte i bindur që ka kryer punën në mënyrën më rigoroze të mundshme. Këtë e tregon edhe kartela mjekësore.
Mund të na tregoni si ka qenë gjendja e pacientit?
Mark Ndoka, para paraqitjes në spitalin e Lezhës, ka pësuar plasaritje të apendicitit. Ndërhyrja ka qenë efikase nga ana e mjekut, këtë e tregon edhe përmirësimi i gjendjes shëndetësore. Por në momentin që ai po bëhej gati të dilte nga spitali, ka pësuar një goditje të menjëhershme nga “Tromboembolia Pulmonare”, që e çoi atë drejt vdekjes. Pacienti kurohej edhe për sëmundjen e diabetit.
I është kryer ekspertiza viktimës, pas vdekjes në spital?
Sigurisht që i është bërë ekspertiza, madje janë marrë ekspertë nga Tirana. Për mendimin tonë, shkaqet kanë të bëjnë edhe me sëmundjen që kishte pacienti, dhe jo për ndonjë mjekim të pakujdesshëm të kirurgut.
PRECEDENTI
Pak ditë më parë, policia e Durrësit arrestoi dy mjekë të akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” të shtetasit Juxhin Guza, i cili njihej në këtë qytet edhe si volejbollist i skuadrës së Teutës. Dalip Çela, mjek kirurg dhe Nuri Qyra, mjek reanimator u lanë në burg edhe nga gjykata, ndonëse ata nuk e kanë pranuar akuzën. Volejbollisti gjeti vdekjen në spitalin e Durrësit pak ditë pasi ishte plagosur me thikë para pallatit të tij.











