
Gjashtë muaj pasi u gjet në gjendje kome e më pas vdiq në Spitalin Ushtarak në Tiranë, familjarët e shtetasit Artan Kasem Kurti janë interesuar dje në Prokurori.Menjëherë pas publikimit të lajmit në gazetën “Panorama”, se 44-vjeçari gjendej prej gjashtë muajsh në morg dhe askush nuk ishte interesuar për të, gruaja e viktimës dhe motra e tij u paraqitën dje në Prokurorinë e Tiranës. Ashtu siç pritej, publikimi i lajmit në media dha efekt jo vetëm për identifikimin më të mirë të viktimës, por edhe për zbardhjen e informacioneve që mund të ndihmojnë hetimin. Të afërmit e personit që u gjet në gjendje kome e më pas vdiq në spital, fillimisht e kanë identifikuar atë dhe më pas i janë nënshtruar procedurave në Prokurori. Gruaja dhe motra e Artan Kasem Kurtit kanë dëshmuar dje në Prokurori se e dinin që ndodhej jashtë shtetit i afërmi i tyre. Ato kanë pohuar se nuk kanë pasur kontakt me 44-vjeçarin që në maj të vitit 2009. Në atë kohë, ai ishte kthyer në banesë dhe, pasi e kishte pyetur e shoqja se ku kishte qenë, 44-vjeçari i kishte thënë se ishte kthyer nga emigracioni, kur në fakt kishte qenë në burg për “mashtrim”. Këto dhe një numër informacionesh të tjera me vlerë për hetimin janë zbardhur dje nga prokuroria gjatë marrjes në pyetje të gruas dhe mostrës së shtetasit Artan Kasem Kurti, i cili është gjetur i vdekur më 12 janar 2011 në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Pas dëshmive të dhëna dje nga familjarët e 44-vjeçarit, Prokuroria po heton disa pista përfshi edhe grabitjen apo vrasjen e mundshme. Për të hedhur dritë mbi natën e fundit të Artan Kasem Kurtit, Prokuroria ka kërkuar tabulatet e numrit të telefonit që ai ka pasur në përdorim. Nga të dhënat, rezulton se viktima ka qenë i dënuar më parë për mashtrim me 3 muaj burg.
Misteri i vdekjes
Më 12 janar, në ora 21:30, Komisariati i Policisë Nr.2 në Tiranë ka marrë informacion se pranë pallatit Nr.38 në rrugën “Myslym Shyri” në kryeqytet ndodhej një person pa shenja jete. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes ku u bë ofrimi i ndihmës së parë për 44-vjeçarin dhe më pas edhe mbledhja e provave. Nga këqyrja u konstatua se personi i seksit mashkull ishte shtrirë në tokë dhe ndodhej në gjendje të rëndë pa shenja jete. Ai u dërgua në spital ku gjatë ndihmës mjekësore iu morën edhe shenjat e gishtave, pasi me vete në rroba nuk kishte asnjë dokument. Ai humbi jetën më 7 prill 2011 dhe kufoma e tij u dërgua në Morg. Gjatë kësaj, policia bëri analizën e shenjave të gishtave dhe më 30 maj 2011 sistemi i kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike e identifikoi këtë shtetas me emrin Artan Kasem Kurti, lindur më 1964 në Tiranë. Grupi i hetimit procedoi më pas me kryerjen e autopsisë për shkakun e vdekjes. Nga këqyrja e jashtme, viktima nuk kishte dëmtime të dukshme, por nga autopsia, sipas mjekëve ligjorë, 44-vjeçari ka humbur jetën si pasojë e kontuzionit në tru. “Vdekja ka ardhur si pasojë e kontuzionit në tru, konkretisht goditjes dhe shembjes së shkaktuar me mjete të forta mbretëse”, kanë shpjeguar mjekët ligjorë.
Procedurat
Pasi kanë dhënë deklarime dje në Prokurorinë e Tiranës, gruaja dhe motra e shtetit Artan Kasem Kurti kanë marrë konfirmimin e nevojshëm për t’u paraqitur në Morg. Ditën e sotme pritet që të afërmit e viktimës, 44 vjeç, të paraqiten pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë ku do të bëjnë procedurat e verifikimit e më pas tërheqjes së trupit për t’i bërë ceremonitë e zakonshme të përcjelljes në banesën e fundit. Prej gjashtë muajsh, kufoma e 44-vjeçarit mbahej në Morgun e Tiranës, pasi askush nuk ishte paraqitur për t’u interesuar derisa lajmi u bë publik dje në media.
I braktisuri për gjashtë muaj në morg, mashtroi dentistin në 2005

TIRANE – Artan Kasem Kurti, tashmë i vdekur që në muajin prill 2011, rezulton i dënuar në vitin 2005 për “mashtrimin” e një dentisti në Tiranë. Më 24 janar 2006, gjykata ka dhënë vendimin ndaj shtetasit Artan Kasem Kurti, lindur e banues në Tiranë, më 22 shkurt 1969 i hetuar në masën e sigurisë “arrest me burg”. Ky person është akuzuar asokohe për kryerjen e veprës penale të “mashtrimit”. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e të akuzuarit me katër muaj burg, ndërsa gjykata ka vendosur tre muaj heqje lirie. Nga provat e mbledhura prej Prokurorisë, ka rezultuar se më 17 nëntor 2005, i pandehuri Artan Kasem Kurti ka shkuar në klinikën e të dëmtuarit Maksim N, ku ky i fundit ushtron profesionin e mjekut stomatolog. I akuzuari është prezantuar si banor i pallatit ku ndodhet dhe klinika dhe, pasi ka bërë një vizitë, ka lënë takim për të nesërmen me pretendimin se do të rregullonte dhëmbët. Të nesërmen, me datë 18.11.2005, Artan Kasem Kurti ka shkuar tek i dëmtuari Maksim N. dhe, pasi kanë pirë një kafe së bashku, i ka kërkuar t’i rregullonte dhëmbët, ku si shpërblim do t’i jepte një televizor, me pretendimin se ishte punonjës i një firme të materialeve elektronike dhe mund ta merrte televizorin me çmim të arsyeshëm. Pasi kanë rënë në marrëveshje, i pandehuri së bashku me të dëmtuarin janë nisur për në afërsi të dyqanit të kompanisë në fjalë. Aty i akuzuari i ka kërkuar dentistit që t’i jepte 2000 lekë të reja, pasi nuk e plotësonte të gjithë shumën e vlerës së televizorit dhe i ka thënë që ta priste në rrugicë, deri sa ai të sillte televizorin. Pasi ka dhënë lekët, dentisti Maksim N. ka pritur për një kohë të gjatë dhe më pas është larguar i revoltuar nga veprimi mashtrues i të akuzuarit Artan Kasem Kurti. Dentisti është vënë në kërkim të të pandehurit Artan Kurti, ku katër ditë pas mashtrimit, më 22 nëntor 2005, para Maternitetit të ri e ka njohur dhe menjëherë ka njoftuar organet e policisë, të cilët kanë bërë ndalimin dhe më pas arrestimin e të pandehurit.
TRAZHGIM SOKOLAJ
© Panorama.al











