I sëmuri mendor plagos në shkollë

Sep 16, 2011 | 12:06

Një person me probleme të theksuara të shëndetit mendor, i trajtuar disa herë në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, plagosi dje me mjete të mprehta një maturant në ambientet e shkollës.Ngjarja ndodhi në sy të qindra nxënësve të tjerë, pasi në momentin e plagosjes ishte orari i pushimit të madh. Policia e Ballshit bëri të ditur se në ambientet e shkollës së mesme “Dervish Hekali” ka mbetur i plagosur 18-vjeçari Dritan Basha, nxënës në vitin e katërt. Autori i ngjarjes është shtetasi Isa Malaj, i cili njihej në qytet nga të gjithë për shkak të veprimeve të tij. Madje edhe nxënësit e shkollës e njihnin dhe krijonin situata gazmore e batuta karshi tij sa herë ai kalonte pranë gjimnazit. Pikërisht kjo situatë, tallja nga nxënësit, e ka acaruar 40-vjeçarin, i cili është futur në ambientin e shkollës duke lënë të plagosur me thikë maturantin Basha. Përgjakja e të plagosurit ka vënë në panik nxënësit e tjerë, të cilët dhanë alarmin menjëherë te mësuesit e tjerë. Ata e dërguan menjëherë të plagosurin në spitalin e Ballshit. Sipas mjekëve, nxënësi kishte marrë tri plagë me mjetin mprehës në shpatull, por gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Dëshmitarë në vendin e ngjarjes i pohuan policisë se 40-vjeçari po kalonte afër shkollës kur nxënësi Basha e ka tallur me fjalë.
Policia bëri të ditur se është vënë në kërkim të autorit të ngjarjes, i cili njihet në këtë zonë si person me probleme mendore. Ai disa herë ishte bërë burim rreziku edhe për komunitetin, për shkak të veprimeve të tij të pakontrolluara. Sipas të dhënave nga vendi i ngjarjes, për shkak të veshjes që mban 40-vjeçari Malaj, të rinjtë, e më së shumti edhe fëmijët, e kanë parë atë si mjet argëtimi duke i hedhur gjithnjë fjalë fyese e ngacmime. Shpesh ka pasur edhe situata të rrezikshme për fëmijët, por fatmirësisht ato kanë mundur të shpëtojnë duke vrapuar. Edhe dje adoleshenti e ka ngacmuar me fjalë dhe reagimi i tij ka qenë tepër agresiv duke nxjerrë thikën.
“Ai vishet si grua, me një fustan të çuditshëm dhe flet me vete. Kërcen në rrugë, ndonjëherë edhe shan fort, dhe kjo na ka tërhequr vëmendjen. Kështu ndodhi edhe sot (dje). Shoku ynë e pyeti nëse e kishte gjetur burrin për t’u martuar, meqë ishte veshur sërish si grua. Por ai s’e duroi dot duke u hedhur mbi të shumë shpejt dhe e goditi me thikë”. Kështu u shpreh për policinë nxënësi me inicialet M. K., shok klase me të plagosurin. Policia bëri të ditur se ka shoqëruar autorin e ngjarjes, i cili rezultoi se ka qenë disa herë i shtruar në Spitalin Psikiatrik të Vlorës, madje aty ka dhe kartelë të hapur. Mësohet se 40-vjeçari jeton me një vëlla tjetër më të madh, po ashtu i sëmurë mendor. Të dy vëllezërit enden më të shumtën e kohës rrugëve të qytetit, ndërsa gati çdo ditë nuk mungojnë skena agresive kryesisht me fëmijë.

PRINDERIT
Prindërit e nxënësve të shkollës së mesme në Ballsh kanë mbërritur menjëherë në ambientet e gjimnazit pasi kanë mësuar ngjarjen e ndodhur. Ata paralajmëruan se do t’i mbajnë fëmijët nëpër shtëpi nëse nuk merren masa që të huajt të futen lirshëm në ambientet e shkollës, aq më tepër një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, siç është një person me probleme mendore.
“Unë nuk njoh asnjë shpjegim mbi këtë ngjarje. Pse u la të hyjë brenda një i sëmurë mendor? Nuk mund të rrezikojmë t’i çojmë fëmijët në shkollë nëse nuk janë të sigurt. Shteti të marrë masa”, u shpreh prindi i një fëmije, Abedin Tajari. Por, të njëjtin reagim kanë pasur edhe banorë të tjerë të Ballshit, të cilët kërkojnë siguri për fëmijët e tyre në shkollë.

BALLSH/ MAJLINDA RAMA

© Panorama.al

Te lidhura