Bllokimi i rrugës kombëtare Librazhd-Pogradec ka shkaktuar një kaos në trafik prej orësh dhe ankth e revoltë qytetare, që kulmoi ditën e sotme.
Shkak u bë mosfunksionimi i rrugëve alternative dhe një prej tyre ishte ajo e Gramshit, duke krijuar përsëri probleme në qarkullim dhe bllokim.
Prefektura e Qarku Korçë ka njoftuar sot (21 shkurt) zyrtarisht bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, deri në një njoftim të dytë.
Vendimi vjen në vijim të informacionit të bërë publik nga ARRSH, Drejtoria Qendër-Lindje dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Elbasan dhe Korçë, për shkak të situatës së krijuar në këtë segment.
Sipas njoftimit, shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat kyçe: Kryqëzimi i Qafë Thanës, Kryqëzimi i Qafë Plloçës dhe Kryqëzimi i Maliqit, ku po orientojnë drejtuesit e mjeteve për devijimin e qarkullimit.
Autoritetet bëjnë me dije se do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, mjetet zjarrfikëse dhe ato të Policisë. Strukturat e Policisë ndodhen në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e qytetarëve.
Njoftimi i plotë i Prefekturës Korçë:
“Në vijim të njoftimit të bërë nga ARRSH, Drejtoria Qëndër-Lindje, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan/ Korçë për bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, informojmë qytetarët se ky segment do të jetë i pakalueshëm deri në një njoftim të dytë.
Shërbimet e Policisë Rrugore janë vendosur në pikat: Kryqëzimi Qafë Thanë, Kryqëzimi Qafë Plloçë dhe Kryqëzimi i Maliqit, ku po orientojnë drejtuesit e mjeteve.
Qarkullimi për mjetet deri në 3.5 ton do të devijohet në aksin Maliq – Lozhan – Moglicë – Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas.
Mjetet e tonazhit të rëndë dhe autobusët nuk lejohen të qarkullojnë. Do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë.
Strukturat e Policisë janë në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e qytetarëve. Për çdo emergjencë, telefononi në numrin pa pagesë 112. Faleminderit për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.
Lutemi për publikim me qëllim sensibilizimin e drejtuesve të mjeteve të respektojnë përcaktimet / orientimet e ndërmarra nga strukturat përgjegjëse”.
Njoftimi shtesë i Prefekturës Korçë:
“Prefektura e Qarkut Korçë, bazuar në informacionin e përcjellë nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe në koordinim me strukturat e Policisë Rrugore, njofton se për shkak të bllokimit të aksit nacional Librazhd – Prrenjas, në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”, është krijuar situatë e rënduar trafiku.
-Për të lehtësuar qarkullimin dhe për të garantuar sigurinë rrugore, rekomandohen këto akse alternative:
-Për autoveturat: Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan.
-Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë.
-Për mjetet e tonazhit të rëndë: Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni e Veriut – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit.
Strukturat e Policisë Rrugore janë në terren dhe po orientojnë drejtuesit e mjeteve sipas planit të devijimit të trafikut.
Prefektura e Qarkut Korçë kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve dhe banorëve të zonës, si dhe apelon për respektimin e sinjalistikës rrugore dhe udhëzimeve të autoriteteve në terren.
Faleminderit për bashkëpunimin”.
Njoftimi i Drejtorisë Vendore e Policisë Elbasan:
“Në vijim të njoftimeve të mëparshme lidhur me bllokimin e aksit rrugor “Librazhd–Pogradec”, si pasojë e situatës së rënduar të trafikut, ju informojmë për akset alternative për qarkullimin e mjeteve:
-Për autoveturat:
Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan
Qafë Thanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë
-Për mjetet e tonazhit të rëndë:
Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit
Policia Rrugore është e pranishme në terren për orientimin e drejtuesve të mjeteve dhe monitorimin e situatës. Apelojmë për respektimin e sinjalistikës dhe udhëzimeve të dhëna.
Për çdo emergjencë, mund të telefononi në numrin pa pagesë 112”.
© Panorama.al














