Një i dënuar me vdekje në Oklahoma të SHBA-ve i ka shpëtuar ekzekutimit në minutën e fundit, pasi guvernatori i shtetit ia ndryshoi dënimin në burgim të përjetshëm.
Tremaine Wood, 46 vjeç, u dënua me vdekje për vrasjen e 19-vjeçarit Ronnie Wiffe, ditën e Vitit të Ri 2002. Ai nuk e ka pranuar kurrë fajin.
Ekzekutimi i tij ishte planifikuar për sot në orën 6 pasdite, por Guvernatori republikan i Oklahomës, Kevin Stitt, njoftoi se do të ndiqte rekomandimin e Komisionit të Faljes, i cili rekomandoi ndryshimin e dënimit në burgim të përjetshëm.
Vendimi “merr parasysh të njëjtin dënim të dhënë vëllait (të Wood) për vrasjen e një njeriu të pafajshëm dhe garanton një dënim të rëndë” për një “kriminel të rrezikshëm”, shpjegoi Stitt.
Guvernatori, i cili ka qenë në detyrë për rreth shtatë vjet, kishte ndryshuar vetëm një dënim tjetër me vdekje në burgim të përjetshëm, në vitin 2021.
Nuk u përfaqësua siç duhet nga avokati i tij
Komisioni rekomandoi uljen e dënimit, duke pranuar se ai nuk u përfaqësua siç duhet nga avokati i tij i caktuar. Vëllai i tij më i madh, i cili kishte një mbrojtje më të mirë, u dënua me burgim të përjetshëm pa lirim me kusht, edhe pse rrëfeu se kishte goditur me thikë viktimën. Vëllai i Wood kreu vetëvrasje në burg në vitin 2019.
Dy shtete të tjera, Florida dhe Karolina e Jugut, po përgatiten të kryejnë ekzekutime sot dhe nesër. Në Florida, Brian Jennings, 66 vjeç, një ish-marins i dënuar për përdhunimin dhe vrasjen e 6-vjeçares Rebecca Kunas në vitin 1979, do të ekzekutohet.
Në Karolinën e Jugut, Steven Bryant, 44 vjeç, i cili vrau tre burra në pesë ditë në vitin 2004, do të ekzekutohet me pushkatim. Në fakt, me gjakun e viktimës së tij të fundit, ai i shkroi një mesazh policisë:
“Më kapni nëse mundeni”.
Që nga fillimi i vitit në SHBA janë kryer gjithsej 41 ekzekutime, shumica me injeksion intravenoz, pesë me inhalim të azotit (me gaz, një metodë që ekspertët e OKB-së e përshkruajnë si një lloj “torture”) dhe dy me pushkatim.
Vërehet se dënimi me vdekje është hequr në 23 nga 50 shtetet e SHBA-së. Në tre nga shtetet e mbetura, Kalifornia, Oregon dhe Pensilvania, respektohet një moratorium mbi ekzekutimet, me vendim të guvernatorëve.
© Panorama.al











