Karabinierët italianë rrezikuan jetën gjatë ndjekjes së një 32-vjeçari shqiptar me precedentë penalë dhe që drejtonte mjetin në gjendje të droguar, teksa mbetën të lënduar në fund të aksionit, që u kushtoi edhe shkatërrimin e dy mjeteve të kazermës.
Gjatë kontrollit të riut iu gjetën një sasi kokaine dhe mbi 8 mijë euro cash, ndërsa ndaj tij kishte urdhër kërkimi dhe gjithashtu i dëbuar nga vendi, por kishte hyrë ilegalisht më pas.
Ngjarja ndodhi mbrëmë (15 nëntor), në zonën e Ponte San Giovanni dhe Città di Castello. Shqiptari do akuzohet për posedim të narkotikëve me qëllim shpërndarjen, rezistencë ndaj një zyrtari publik, sulm, mosrespektim të urdhrit të rihyrjes dhe drejtim mjeti nën ndikimin e narkotikëve.
I riu u pikas fillimisht duke drejtuar përgjatë rrugës shtetërore SS “3 bis” pranë daljes së Città di Castello.
Ai nuk iu bind urdhrit të oficerëve për të ndaluar dhe iku në drejtim të Perugias. I ndjekur dhe nga ekipe të tjera lokale që kishin mbërritur për të ndihmuar, i dyshuari menjëherë ndërmori manovra shmangëse që rrezikuan sigurinë e të tjerëve, duke goditur njëra pas tjetrës dy automjete të karabinierëve dhe duke vazhduar të ikte derisa doli nga rruga.
Ai u ndalua menjëherë nga karabinierët ndërsa përpiqej të ikte, por fillimisht rezistoi, përpara se të neutralizohej. Gjatë hetimit pasues, pas kryerjes së një kontrolli personal dhe të automjetit, i dyshuari u gjet në posedim të 21 gramëve kokainë të fshehur me vete. Këto u sekuestruan, së bashku me 8,500 euro në para të gatshme, që besohet të jenë të ardhurat e mundshme të krimit, dhe automjeti që ai po përdorte.
Pas hetimit dhe ekzaminimeve mjekësore, oficerët pësuan lëndime të lehta, ashtu si edhe 32-vjeçari, i cili, pasi iu nënshtrua testeve toksikologjike, u zbulua se e kishte drejtuar automjetin nën ndikimin e drogës.
Lidhur me të kaluarën e mundshme kriminale të mëparshme të individit, hetimet e mëtejshme të kryera nga Karabinierët zbuluan se individi ishte subjekt i një urdhër arresti të lëshuar nga Prokuroria Publike e Forlì-t për sjellje të ngjashme dhe të rënda kriminale kundër personelit të policisë rrugore në Fano, më 7 nëntor 2019, informon media italiane.
Ai u largua nga vendi i ngjarjes pasi shkaktoi aksidente rrugore dhe shkaktoi lëndime, disa shumë të rënda, tek qytetarët. Shqiptari gjithashtu u gjet se kishte shkelur ndalimin e rihyrjes në Itali. Pas përfundimit të formaliteteve të kërkuara, i arrestuari u dërgua në burgun e Perugia-Capanne.
© Panorama.al











