I dërguari i Trump: Arritëm një progres të rëndësishëm në Paris për Ukrainën! SHBA të gatshëm për paqen

Jan 6, 2026 | 21:36

Marrëveshja për sigurimin e garancive të sigurisë për Ukrainën është në një fazë të avancuar dhe ajo që është rënë dakord pritet të sigurojë Kievin se nuk do të përballet me një tjetër sulm nga Rusia, deklaroi të premten i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për Ukrainën, Steve Whitkoff, gjatë një konference për media pas takimeve në Paris me anëtarët e “Aleancës së Gatshmeve” dhe përfaqësuesit ukrainas.

witkoff kushner rutte

“Ne besojmë se kemi përfunduar në një masë të madhe protokollet e sigurisë për Ukrainën,” tha Whitkoff, duke shtuar se çështja e fundit për arritjen e marrëveshjes paqësore lidhet me kufijtë dhe territori. “Ne ndihmojmë në ndërmjetësim dhe procesin e paqes,” shtoi ai.

Whitkoff theksoi se presidenti amerikan Donald Trump “mbështet fuqishëm” këto protokolle sigurie, të cilat kanë për qëllim:

Të parandalojnë çdo sulm të mëtejshëm ndaj Ukrainës.

Të sigurojnë mbrojtjen në rast të ndonjë sulmi.

“Dhe ato do të bëjnë të dyja,” shtoi ai, duke nënvizuar se protokollet janë “po aq të forta sa çdo gjë që është parë ndonjëherë – dhe të gjithë e kanë njohur këtë.”

I dërguari amerikan shtoi se Trump “nuk tërhiqet nga angazhimet e tij” dhe se SHBA-të “do të jenë aty për ukrainasit, duke kontribuar drejt arritjes së paqes përfundimtare.”

Sipas Whitkoff, në diskutimet në Paris është arritur progres i rëndësishëm në çështje kyçe që lidhen me Ukrainën, përfshirë garancitë e sigurisë dhe një “plan mirëqenieje”. Përfaqësuesit amerikanë kanë zhvilluar takime me zyrtarë evropianë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, si dhe me udhëheqësit ukrainas, përfshirë presidentin Volodymyr Zelensky, duke shprehur optimizëm për qasjen pozitive të të gjitha palëve.

Whitkoff shtoi se diskutimet me delegacionin ukrainas do të vazhdojnë edhe në mbrëmje dhe nesër, duke shpresuar për “një dinamikë pozitive shtesë në të ardhmen e afërt.” Në përfaqësimin amerikan morën pjesë, përveç Whitkoff, Jared Kushner, gjenerali Alex Grinkevich, ambasadori Charles Kushner dhe këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Josh Gruenbaum.

© Panorama.al

Te lidhura