I dërguari i BE-së: Sanksionet kanë ndikim të rëndësishëm në ekonominë ruse, situata financiare mund të bëhet e paqëndrueshme

Feb 5, 2026 | 8:31

Sanksionet perëndimore kanë një ndikim të ndjeshëm në ekonominë ruse dhe mund ta bëjnë të paqëndrueshme situatën financiare të Moskës gjatë vitit 2026, ka deklaruar i dërguari special i BE-së për sanksionet, David O’Sullivan.

osullivan

Në një intervistë për The Guardian, O’Sullivan tha se, ndonëse sanksionet gjithmonë anashkalohen pjesërisht, pas katër vitesh është e qartë se ato po funksionojnë.

Ai theksoi se ekonomia ruse është shtrembëruar rëndë nga orientimi drejt luftës, në dëm të sektorit civil.

Deklarata e tij vjen në një kohë kur Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës, ndërsa Kievi po përballet me temperatura deri në –20°C. Sipas autoriteteve ukrainase, Rusia ka lëshuar dyfishin e dronëve dhe raketave krahasuar me janarin 2025.

Megjithatë, lufta po i kushton shtrenjtë ekonomisë ruse: të ardhurat nga nafta po bien, inflacioni ka arritur rreth 6%, normat e interesit 16%, ndërsa të ardhurat nga nafta dhe gazi u përgjysmuan në janar, niveli më i ulët që nga viti 2020.

Që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, BE-ja ka miratuar 19 paketa sanksionesh ndaj Rusisë, duke synuar mbi 2,700 individë dhe subjekte, si dhe sektorë kyç si energjia, aviacioni, teknologjia, diamantet dhe ari.

O’Sullivan tha se BE-ja ka pasur sukses në frenimin e anashkalimit të sanksioneve, veçanërisht përmes bllokimit të rieksportit të komponentëve ushtarakë përmes Azisë Qendrore, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe vendeve të tjera. Ai shtoi se shumica e shkeljeve kryhen nga aktorë privatë për përfitim ekonomik, jo nga qeveritë.

Kina, sipas tij, mbetet përjashtim, duke i ofruar Rusisë mbështetje indirekte, edhe pse jo armë direkte. Ndërkohë, BE-ja ka vendosur sanksione ndaj rreth 600 anijeve të të ashtuquajturës “flotë në hije” ruse që transportojnë naftë drejt Kinës dhe Indisë.

BE-ja po vazhdon përpjekjet për të bindur vendet partnere që të mos lejojnë rishitjen e mallrave evropiane që mund të përdoren për qëllime ushtarake nga Rusia.

© Panorama.al

Te lidhura