Një 51-vjeçar shqiptar është ekstraduar nga Gjermania pasi ishte dënuar për veprat penale të “ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Sipas policisë, Sokol Ndreka ishte në kërkim ndërkombëtar pasi gjykata e Tiranës e kishte dënuar atë në vitin 2024 me 6 vite burg për këto dy vepra penale.
Dënimi i tij ka të bëjë me ngjarjen e ndodhur më 31 tetor të vitit 2022, ku në rrugën dytësore Tiranë-Durrës u kapën në një automjet 15 emigrantë të paligjshëm. Nga hetimet, rezultoi se Ndreka ishte i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të emigrantëve.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i koordinimit të veprimeve operacionale ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden/Gjermani, në vijim të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, u finalizua ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Sokol Ndreka, 51 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vitin 2024, e ka dënuar me 6 vite burgim për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Përmbledhje e ngjarjes:
Më datë 31.10.2022, në rrugën dytësore Tiranë–Durrës, janë kapur në një automjet 15 shtetas të huaj (emigrantë të paligjshëm).
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi Sokol Ndreka ishte i përfshirë në aktivitetin e paligjshëm të trafikimit të emigrantëve.
Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Wiesbaden/Gjermani, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
© Panorama.al












