TIRANË – Pesë persona janë dërguar në gjyq nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën e trafikimit të narkotikeve, të mbetur në tentativë. Në fund të korrikut, prokurori Ardian Nezha ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në Gjykatë dosjen penale ndaj shtetasve Bekim (Vladimir) Torra, Jani (Nevion) Tollozhina, Vladimir (Vali) Polisi, Naser (Rrahim) Bajrami dhe Orgest Vasku. Në këtë dosje, për moskallëzim krimi akuzohet edhe Marin (Ermal) Cenka. Hetimet ndaj tyre kanë nisur në datën 27 mars 2012. Sipas burimeve zyrtare, që thanë se dosja tashmë ndodhet në Gjykatë, objekt hetimi i këtij procedimi penal kanë qenë një grup personash nga Librazhdi dhe Elbasani, të cilët pasi siguronin lëndën narkotike në Lazarat dhe Tiranë përmes lidhjeve të tyre shoqërore, e sillnin lëndën narkotike në zonën e Përrenjasit dhe prej andej, përmes shtetasit Naser Bajrami, nga Elbasani e transportonin këtë sasi lënde narkotike drejt Greqisë. Sipas burimeve, gjatë hetimit është arritur të provohej se lënda narkotike e qarkulluar nga këta persona dërgohej në Greqi te dy shtetas shqiptarë, me emrin Klodi dhe Ari ose Ani, të cilët rezultonin se kishin lidhje me shtetasin Jani Tollozhina. Ky nga ana e tij bashkëpunonte me personat e akuzuar të këtij rasti, duke qenë i arrestuar në ambientet e paraburgimit të Korçës. Implikimi i personit të paraburgosur mësohet se është zbuluar e më pas është dokumentuar me anë të përgjimit të komunikimeve telefonike që ai ka pasur me të akuzuarit e tjerë të kësaj çështjeje. Të akuzuarit, sipas Prokurorisë, kanë tentuar të trafikojnë në Greqi një sasi prej 21 kilogramësh lëndë narkotike marijuanë të cilësisë së lartë. Hetimi ka zbardhur implikimin e të gjithë personave, ndërsa nga ndjekja operative është arritur të zbulohet personi i caktuar si korrier për transportimin e drogës në Greqi dhe madje, në datën 14 maj 2012, ky person është arrestuar në flagrancë. Bazuar në të dhënat e marra në kryerje e sipër të veprës penale, është vënë në pranga shtetasi Naser Bajrami, i cili është kapur në pikën e kalimit kufitar Kapshticë Korçë. Organi i akuzës mësohet se ka ndjekur gjithë ecurinë e aktivitetit të të dyshuarve edhe pas arrestimit të korrierit të drogës në Kapshticë.











