Bashkimi Evropian duhet të ndalojë financimin e Ukrainës pas denoncimeve për korrupsion brenda qeverisë ukrainase, deklaroi ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó.
“Ekziston një mafie e luftës, një sistem i korruptuar që funksionon në Ukrainë, dhe presidentja e Komisionit Evropian, në vend që të ndalojë pagesat dhe të kërkojë sqarime të menjëhershme, dëshiron të dërgojë edhe 100 miliardë të tjera në Ukrainë. Kjo është e çmendur”, tha Szijjártó, duke folur për gazetarët para mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel.
Të mërkurën, parlamenti i Ukrainës vendosi shkarkimin e dy ministrave, atij të Energjisë dhe të Drejtësisë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në një skandal të madh korrupsioni.
Ligjvënësit kërkuan gjithashtu miratimin e masave shtesë dhe të ashpra për rikthimin e besimit ndaj drejtuesve të vendit.
Hetimet për skandalin e korrupsionit prej 100 milionë dollarësh, i lidhur me kontrollin e kontratave të kompanisë shtetërore të energjisë bërthamore, kanë shkaktuar zemërim të gjerë në opinionin publik kundër udhëheqjes ukrainase, përfshirë rrethin e ngushtë të presidentit Volodymyr Zelensky.
Nga Brukseli, Szijjártó shtoi se perspektiva aktuale për Ukrainën nuk është pozitive.
“Koha nuk është në anën e Ukrainës. Është një iluzion të thuash se koha po punon për Ukrainën”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ministri hungarez deklaroi se vendi i tij do të mbështesë nismat paqësore të presidentit amerikan Donald Trump.
© Panorama.al











