Hulian Rubio, “ultimatum” lojtarëve

Jan 7, 2012 | 12:32
Hulian Rubio

Hulian Rubio është i shqetësuar, pasi zërat për largime e kanë futur në ankth. Në të tilla kushte, trajneri një ditë më parë ka zhvilluar një mbledhje në ambientet e klubit të Tiranës, ku prezent kanë qenë drejtuesit dhe të gjithë futbollistët. Spanjolli u ka kërkuar atyre që të qartësojnë idetë dhe nëse duan të largohen, ta informojnë më parë. Në këto momente, kur pritet të fillojë faza përgatitore, tekniku është i paqartë. Ai ende nuk e di se kë lojtar duhet të llogarisë si pjesë të ekipit dhe kë jo. Rubio ka folur hapur me të tijtë, madje u ka bërë me dije se nuk do të donte kurrsesi që ky grup të prishej. Megjithatë, duke e njohur problematikën që po kalon klubi, u ka pohuar atyre se i mirëkupton, cilido qoftë vendimi. Mbledhja ka nisur rreth orës 10 të mëngjesit të djeshëm. Në të nuk kanë munguar edhe urimet për Vitin e Ri, ndonëse trajneri ka hyrë drejt e në temë. Ai ka folur me tone tepër miqësore me futbollistët. “Jam më se i lumtur që kam punuar me ju gjatë fazës së parë, ndaj dëshira mbetet që të vazhdojmë bashkëpunimin. Megjithatë, një gjë të tillë e keni vetëm ju në dorë. Keni të drejtën të vendosni për të ardhmen tuaj, atë çka ju duket më e mira. Por, do të ishte mirë që të vendosni shpejt, pasi koha nuk na premton. Unë do të doja t’i kisha idetë e qarta për të filluar punën. Dua të bëj llogaritë e mia, pra të di se cilët lojtarë do të kem në dispozicion, e cilët jo”, kështu u është drejtuar trajneri futbollistëve, fjalim që ka lënë shije të mirë tek ata. Pjesa dërrmuese e lojtarëve nuk do të donin kurrsesi që të largoheshin, ndonëse kriza financiare që po kalon klubi mund t’i detyrojë të gjejnë strehë diku gjetkë.

Klubi ngulmon: Nuk ikën asnjë lojtar
Drejtuesit e klubit të Tiranës ngulmojnë dhe e thonë hapur se asnjë nga lojtarët që është nën kontratë nuk mund të largohet. Ata kanë bllokuar kartonët, që do të thotë se aktualisht askush nuk mund të ikë. Nga ana tjetër, futbollistët pretendojnë se e kanë këtë të drejtë, në një kohë kur kanë tre muaj pa u paguar, më konkretisht tetorin, nëntorin dhe dhjetorin. Por krerët e skuadrës kanë bërë llogaritë e tyre dhe cilësojnë vetëm dy muaj të pashlyer, muajin tetor dhe nëntor, pasi afati për të derdhur pagën e dhjetorit është më datë 20. Nga krahu tjetër thuhet se disa prej titullarëve kanë marrë muajin tetor, që do të thotë një largim do të ishte i pamundur, në rast se është kështu siç pretendojnë drejtuesit. Sidoqoftë, ndonëse situata është kaotike, ende nuk është ndërmarrë ndonjë hap nga lojtarët për t’u ankuar në Disiplinë.

© Panorama.al

Te lidhura