
PRISHTINE- Kosova pritet të marrë së shpejti njohje të reja. Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Egjipt, në ditën e parë të vizitës së tij në këtë vend, ka marrë premtime nga liderët politikë dhe shpirtërorë se Kajro shumë shpejt do të njohë pavarësinë e Kosovës.
Hoxhaj ka marrë mbështetje edhe nga përfaqësuesit më të lartë të “Ligës Arabe”. Nga 22 shtete anëtare, Kosovën e kanë njohur si shtet vetëm 10 prej tyre.
Ministria e Jashtme e Kosovës njofton se gjatë një takimi të ministrit, Hoxhaj me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, Nabil Al Arabi, është siguruar se 12 shtetet anëtare të kësaj organizate, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, do ta bëjnë brenda një kohe shumë të shkurtër.











