Hoxha: Nuk kam folur për Shkëlzen Berishën

Sep 9, 2011 | 10:16

Ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, nëpërmjet një deklarate të shpërndarë dje redaksive të mediave, zbardh përmbajtjen e bisedës së tij me ish-ambasadorin amerikan në Tiranë, John Withers. Duke përgënjeshtruar atë që është publikuar nga WikiLeaks, Hoxha jep versionin e tij të bisedës me ish-ambasadorin në vitin 2008, pas shpërthimit të Gërdecit. Duke iu referuar publikimeve në media, gjenerali Hoxha dëshmon se në atë takim nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Shkëlzen Berishës, djalit të Kryeministrit Berisha, as në lidhje me Gërdecin, as për punë të tjera. “Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie që unë, në cilësinë e ish-shefit të Shtabit kam pasur me ish-ambasadorin John Withers, dëshiroj të sqaroj se gjatë këtij takimi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”, thotë Hoxha në reagimin e tij. Ai sqaron më tej se ka dëshmuar në lidhje me shpërthimin e Gërdecit me vullnetin e tij të lirë para institucioneve përkatëse, dhe kjo, sipas tij, është dëshmia e tij e vetme për këtë ngjarje. “Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në prokurori dhe në gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekulimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje”, tha Hoxha më tej. Ai shprehet se “gjatë gjithë karrierës sime si ushtarak, jam përpjekur të jap maksimumin në të gjitha detyrat që më janë ngarkuar, si në situata normale apo dhe shumë të vështira. Për këtë kam pasur vlerësimet më të mira nga institucionet shtetërore kombëtare e ndërkombëtare”.

© Panorama.al

Te lidhura