TIRANE- Ish-shefi i shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha ka deklaruar sot se nuk e ka përmendur asnjëherë emrin e Shkëlzen Berishës, djalit të kryeministrit Berisha, as si të përfshirë në çështjen Gërdeci apo çështje të tjera.
Në përgjigje të publikimeve në media të kabllogrameve të Wikileaks, gjenerali Hoxha ka konfirmuar sot takimin me abasadorin Withers.
“Duke konfirmuar këtë takim si konfidencial e kortezie që unë në cilësinë e ish Shefit të Shtabit kam pasur me ish ambasadorin John Withers, dëshiroj të sqaroj se: Gjatë këtij takimi, nga ana ime nuk është përmendur emri i z. Shkëlzen Berisha, as në lidhje me ngjarjen e Gërdecit dhe as për çështje të tjera pune që u trajtuan miqësisht e konfidencialisht”- sqaron në reagimin e tij, Hoxha.
Ai sqaron më tej se ka dëshmuar në lidhje me shpërthimin e Gërdecit me vullnetin e tij të lirë para institucioneve përkatëse dhe kjo sipas tij është dëshmia e tij e vetme për këtë ngjarje.
Hoxha ka theksuar se dëshmina e tij e vetme për këtë ngjarje është dhënë përpara institucioneve përkatëse.
“Shpjegimin tim mbi përgjegjësitë, procedurat, dhe rrethanat e fatkeqësisë teknologjike të Gërdecit, unë i kam dhënë me vullnetin tim të lirë në Ministrinë e Mbrojtjes, në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Prokurori, dhe në Gjykatë, duke u bazuar në të vërtetën dhe ligjin. Përtej çdo spekullimi, kjo ngelet dëshmia ime e plotë dhe e vetme mbi këtë ngjarje”, thuhet më tej në ragimin e Hoxhës.
© Panorama.al











