
Pas punësimit të djalit pranë kompanisë “Aleat”, pedagogu Sytki Mulla nisi të kryente rolin e ndërmjetësit për të bërë të mundur nxjerrjen e pasaportave biometrike me gjeneralitete të falsifikuara.Burime nga Policia e Korçës bënë të ditur se rreth një vit e gjysmë më parë, Relis Mulla ishte punësuar pranë kësaj kompanie si specialist i IT-së. Tre muaj pasi ai ishte punësuar pranë kompanisë së prodhimit të pasaportave, kishte pasur ndërhyrjet nga ana e të atit për të nxjerrë pasaporta false kundrejt shumave 2000-3000 euro. “56-vjeçari, pedagog i Fakultetit të Ekonomisë që prej fillesave të universitetit “Fan Noli”, nisi të krijonte influencë tek i biri për kryerjen e këtyre veprimeve, duke përfituar edhe nga njohjet e miqësitë e tij në Korçë”, bëri të ditur Policia. Edhe pse pagesa që bëhej nga emigrantët që kishin probleme me ligjin në shtete të ndryshme ishte gati 7 mijë euro, gjithçka përpjesëtohej mes bashkëpunëtorëve, të cilët kryenin të gjitha veprimet e nevojshme për nxjerrjen e pasaportave. Ata përdornin identitetin e personave të tjerë pa precedentë penalë, që kishin një jetë të rregullt, dhe ua bashkëngjitnin fotove të personave që ndiqeshin për shkelje të ligjit duke u mundësuar kështu një identitet të ri dhe kalimin e kufirit pa asnjë pengesë. Burime nga Prokuroria bënë të ditur se për më se 14 muaj, babë e bir, së bashku me dy të arrestuarit e tjerë, kanë bërë falsifikimin e rreth 38 pasaportave. Sinjalizimet e para për këtë veprimtari kriminale kanë ardhur në sektorin kundër krimit financiar, i cili ka nisur menjëherë hetimet. Për 3 muaj radhazi është vëzhguar dhe analizuar e gjithë veprimtaria apo lëvizjet që kryheshin nga këta persona duke përdorur edhe metodat speciale të hetimit, deri në momentin kur janë siguruar provat e mjaftueshme për të vërtetuar gjithë falsifikimet që kryheshin në gjeneralitetet e shtetasve të ndryshme. Ndërhyrja është bërë në një moment flagrance të shkëmbimit të shumës së paracaktuar me pasaportën false, gjë që e ka ndihmuar policinë jo vetëm të sigurojë provat e mjaftueshme materiale, por edhe të vërë nën pranga 4 personat përgjegjës. Por, hetimet janë duke vazhduar pasi, sipas Policisë, ka edhe persona të tjerë të implikuar në falsifikimin e dokumenteve. “Në lidhje me këtë procedim penal po hetohen dhe raste të tjera të aplikimit të dokumenteve të falsifikuara, si dhe persona të tjerë, të cilët janë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, u shpreh zëdhënësja e Policisë së qarkut, Eftiola Kacori.
Pedagogu, kandidat për kreun e PS
Pedagogu i arrestuar, Sytki Mulla, ka hedhur kandidaturën para disa vitesh për postin e kryetarit të Partisë Socialiste për qarkun e Korçës. Por, më pas, për shkaqe që nuk dihen, ai është tërhequr nga gara. Prej shumë vitesh ai ishte pedagog në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Korçës
3 MUAJ janë mbajtur në vëzhgim katër personat e arrestuar, duke iu dokumentuar të gjithë veprimtarinë apo lëvizjet që kryheshin prej tyre. Për dokumentimin e veprimtarisë kriminale janë përdorur edhe metoda speciale të hetimit, deri në momentin kur janë siguruar provat e mjaftueshme për të vërtetuar falsifikimet
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
© Panorama.al











