Hetimet, dy të arrestuar nga KFOR në veri

Sep 1, 2011 | 15:49

PRISHTINE- KFOR-i portugez ka arrestuar dy persona mesditen e sotme. Ndonese  të arrestuarit nuk janë të një nivel shumë të lartë kriminal, prangosja e tyre shihet si veprim shumë pozitiv.

“Arrestimi i tyre është bërë bazuar në hetimet e EULEX-it”, citon gazeta EXPRESS, duke saktësuar se ata dyshohen për përfshirje në trazirat e fund-korrikut.

Ndërkohët edhe Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën e sotme për media, pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, ka konfirmuar aksionet në Veri.

Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës nuk është në konflikt me qytetarët në veri, por është në konflikt me strukturat ilegale dhe kriminale, që kanë funksionuar prej 12 vjetesh.

“Me rendësi është që kontrabanda është ndalur plotësisht, tani e tutje do të jenë edhe institucionet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare në pikën 1 dhe 31 me kalimin e kohës. Nuk do të ketë rikthim prapa në gjendjen e para 25 korrikut. Përkundrazi, edhe dje kanë ndodhur aksione nga investigime të përbashkëta që janë bërë prej institucioneve vendore dhe prej atyre ndërkombëtare. Ka ndodhur edhe sot gjithashtu në mëngjes. Do të ndodhin edhe në të ardhmen dhe e theksojë edhe një herë – ata bartës të institucioneve ilegale dhe kriminale do të ballafaqohen me drejtësinë. Ata do t`i kenë fletë arrestet ndërkombëtare dhe edhe vet Beogradi nuk do të mund t`i strehojë më tutje në institucionet e veta, kur po largohen apo po arratisen nga Kosova. Një pjesë e tyre janë në arratisje, por Beogradi e ka për obligim ndërkombëtarë t`i arrestojë njerëzit që kanë shkaktuar dhunë në Republikën e Kosovës. E ka si kriter edhe evropianë për t`i implementuar kriteret e Kopenhagenit për rend dhe ligj”, tha Thaçi.

© Panorama.al

Te lidhura