Hetim komunës së Velipojës, taksë të paligjshme pushuesve

Jul 21, 2011 | 10:07

Vendosja e postblloqeve për vjeljen e taksës prej 100 lekësh për hyrjen e automjeteve në plazhin e Velipojës, do të hetohet nga policia e Shkodrës.Sektori Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bazë të informacioneve të marra nga qytetarët, ka nisur hetimet për vendosjen e rreth një muaji më parë të pikave të grumbullimit të taksave të parkimit komunal (postblloqeve), të cilët lejojnë pushuesit të hyjnë në bregdetin e kësaj komune, vetëm pasi paguajnë shumën prej 100 lekësh për automjet. Në sajë të hetimeve të kryera ka rezultuar se për vjeljen e kësaj takse, punonjësit e komunës Velipojë pajisin pushuesit, drejtues të mjeteve me një biletë, e cila nuk është e miratuar nga Ministria e Ekonomisë. “Kjo taksë nuk është mbështetur në ligjin Nr. 9632 datë 30.12.2006, ‘Për sistemin e taksave vendore’”, bëjnë të ditur burime nga grupi i hetimit. Por ende nuk konfirmohet nëse do të merren masa nga ana e tyre pas konstatimit të abuzimit me  ligjin. “Në lidhje me të këtë rast, strukturat e Sektorit Kundër Krimit Financiar po bashkëpunojnë me Prokurorinë e rrethit, e cila do të vijojë me ndjekjen e mëtejshme të këtij problemi”, bënë të ditur më tej ekspertët e Krimit Eekonomik në policinë e Shkodrës. Pak ditë më parë, në komunën e Velipojës, një grup i auditit i institucionit të prefektit ka shkuar për kontroll në këtë komunë për rastin në fjalë. Nga kontrolli i bërë, është arritur në përfundimin që vendosja e postblloqeve dhe vjelja e taksave në rrugët hyrëse për në plazhin e Velipojës është tërësisht e paligjshme dhe, si e tillë, duhet hequr menjëherë. Pas këtij rezultati, dje komuna e Velipojës ka hequr postbllokun në Rrugën e Vilunit, ndërkohë që ka spostuar më thellë në drejtim të plazhit tri postblloqe të tjera.

Komuna pretendoi taksën vendore

Në lidhje me pretendimet e drejtuesve të komunës së Velipojës për të drejtën e njësive vendore për vendosjen e taksave vendore, theksohet se komuna ka të drejtë të ndërtojë parkingje komunale. Drejtuesit e mjeteve janë të detyruar që të paguajnë për parkimin, në rast se ato e shohin të arsyeshme që të parkojnë në këto vende të përcaktuara nga komuna si të tilla. Vendimi i grupit të punës së auditit të prefektit u është dërguar për njohje të gjitha institucioneve.

 

SHKODER/ RIDVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura