Hersi Matmuja: Pse zgjodha të kaloj festat e fundvitit mes 10 mijë ushtarësh në Liban

Jan 16, 2015 | 11:00

Në foto: Hersi Matmuja me ushtarët në Liban
‘’U ndjeva si një Marilyn Monroe që këndoi para ushtarëve amerikanë, unë për ata italianë’’

Ajo përfaqësoi vendin tonë në “Eurosong”, një vokal me potencë të madhe, pasi ka mbaruar studimet në një nga konservatorët më të njohur të Europës. Hersi Matmuja, e diplomuar me notën 10, vjen në një rrëfim për ‘’Panorama plus’’ mbi të rejat e saj, aktivitetet e rëndësishme që ka marrë pjesë, si dhe thashethemet e fundit që kanë të bëjnë me jetën e saj private.
Si është zhvilluar jeta jote pas pjesëmarrjes në Eurosong?
Pas Eurosong-ut kam qenë shumë e ngarkuar me diplomimin në konservatorin Santa Cecilia në Romë. Më datë 14 tetor realizova një nga ëndrrat e mia më të mëdha, u diplomova me notën maksimale 10 në një nga konservatorët më të njohur të Europës.
Po pas diplomimit si zhvillohet karriera jote?
Pas diplomimit jam nisur drejt Polonisë, ku kam kënduar në ‘’Koncertin e kujtimit’’ për të kujtuar viktimat e holokaustit dhe kam vizituar Auschwitz-in, e shoqëruar nga një prej të mbijetuarve dhe kryetari i Bashkisë së Romës, Ignazio Marino.
E më pas?
Pas kthimit në Romë më prisnin shumë aktivitete: ‘’Muzikë për zemrën’’ një nga koncertet më të bukura pranë figurave të njohura si Danilo Rea dhe Francesco de Gregori, që kanë ndërtuar historinë e muzikës italiane të lehtë dhe jazz. Në këtë koncert kam kënduar “One night’s” vetëm se kam qenë e shoqëruar me riorkestrim për Bigg Band Jazz. Një koncert që më mbeti në zemër, ishte koncerti ku më është kërkuar të këndoj dy arie shqiptare, ku u ndjeva shumë krenare atë natë. E gjithë salla romane, me prani të ambasadorit Neritan Ceka, duartrokiti muzikën tonë.
Për Krishtlindje ke kënduar në Liban, nga kush more ftesë?
Për Krishtlindje mora pjesë në misionin e paqes në Liban. Ishte një eksperiencë e jashtëzakonshme, nga udhëtimi me avion ushtarak e deri te pritja me masa mbrojtëse të tejskajshme. Në Liban kam bërë dy koncerte, më 24 dhjetor në Teatrin e Tyros paradite dhe në mbrëmje, darkën e Krishtlindjeve, kam mbajtur koncert në bazën ushtarake në Shama për 10 mijë ushtarë. Ishin të gjithë të mallëngjyer nga prezenca jonë aty, që unë dhe kolegët e mi kishim vendosur të linim familjet e të kalonim këtë festë pranë tyre. Isha e vetmja femër në mesin e gjithë ushtarëve e imagjinoni reagimet e tyre kur hyra në sallë me një fustan të dizajnuar nga Blerina Kllokoqi Rugova, isha si një Merilyn Monroe, që këndoi për ushtarët amerikanë, unë për ata italianë.
Si u ndjeve mes gjithë atyre meshkujve?
Italianët përdorin një shprehje ‘’i bekuar mes femrave’’. Unë isha e bekuar mes meshkujve. Keq nuk më vinte, sepse ushtarët nuk ishin keq (qesh)…
Këto ditë flitet se ke filluar lidhje dashurie me një italian?
Së pari nuk kam asnjë lidhje me këtë djalin në fjalë, ai thjesht është një koleg i imi, me të cilin kemi marrë pjesë në koncerte së bashku, kjo është e vërteta.
Po ndërrimin e viteve ku e kalove?
Viti 2015 më gjeti duke kënduar në një nga pjacat më historike dhe të rëndësishme të Romës në “Piazza Spagna”, ku kam kënduar e shoqëruar nga 80 elemente të bandës së policisë.
Po ky vit si ka nisur, muaji janar ku do të të gjejë e me çfarë planesh?
Janari do të jetë një muaj shumë i zënë për mua me studime për projekte të reja. Më datë 23 nisem për në Gjermani, ku jam e ftuar nga OGAE Germany për një koncert për fansat e Eurosong-ut nga e gjithë Europa.

BLERAND REXHEPI

© Panorama.al

Te lidhura