Kryeministri Edi Rama në prezantimin e programit për konkursin ndërkombëtar të Qendrës së Drejtësisë nuk i kurseu ironitë me gjyqtarët dhe prokurorët.
Në fjalën e tij teksa tha se përpjekja e qeverisë për të mbështetur drejtësinë nuk do të ndalet, ai u shpreh mes batutave se “është koha që të gjithë të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre”.
Kreu i qeverisë iu drejtua gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke i thënë që herë pas herë i bëjnë edhe surpriza.
“Ajo që dua të theksoj përpara, se sa natyrisht ta merrni fjalën sipas dëshirës për të thënë nëse keni diçka lidhur me procesin e deritanishëm është që sot ne i kemi krijuar disa mundësi që nuk i kishim përpara 10 vitesh ose përpara 5 vitesh. Por nga pikëpamja e volumit të investimit, ky është një investim i jashtëzakonshëm.
Është realisht shumë i madh si financim, po të marrim parasysh shpronësimin, plus investimin, plus gjithë çfarë do të duhet për ta mobiluar dhe për ta bërë atë vend, një vend ku çdo prokuror dhe çdo gjykatës kur të hyjë të ndjehet njeriu më i nderuar i kësaj Republike edhe kur sheh muret, jo thjesht kur mendon vetë se çfarë do të thotë të jesh prokuror apo gjykatës. Po edhe muret, edhe mjediset, edhe hapësira e zyrës, edhe, edhe, t’ia thonë atij apo asaj çdo mëngjes – je i privilegjuar nga ky shtet dhe nga kjo Republikë, sepse është privilegj të bësh punën që ti bën, ky është qëllimi.
Dhe për këtë qëllim, ne do ta bëjmë këtë sforco, sepse për ne kjo është një përpjekje që nuk ndalet dhe nuk kthehet mbrapa, pavarësisht surprizave që ju na bëni herë pas here, por që janë pjesë e jetës dhe janë pjesë edhe e proceseve tuaja të brendshme, janë pjesë edhe e rritjes së një sistemi të ri që kërkon kohën e vetë për tu kolauduar. Edhe për ta mbyllur ky është rasti ideal që të gjithë ne së bashku, duke qenë se edhe ju jeni përfshirë tani, të shkojmë në paraburgim për shpërdorim detyre“, tha Rama.
© Panorama.al












