TIRANË- Numri dy i qeverisë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto nisi sot një tur vizitash zyrtare në Japoni, në Republikën e Koresë dhe në Vietnam, që do të zgjasin deri në datën 25 nëntor. Sipas zyrës për shtyp të ministrisë sqarohet se vizita do t’i shërbejë promovimit dhe forcimit të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete, duke inkurajuar zgjerimin e marrëdhënieve ekonomiko- tregtare, vendosjen e kontakteve me institucionet akademike midis vendeve dhe popujve të këtij rajoni.
“Në Japoni, bisedimet që do të zhvillojë Haxhinasto me homologët e tij, si dhe takimet me autoritetet e tjera të këtyre vendeve, do të fokusohen në rritjen e dialogut të mëtejshëm politik me këtë shtet, për t’i ngritur tashmë marrëdhëniet në një stad të ri”- thuhet në njoftimin e ministrisë.
Sipas saj, synohet vendosja e këtij dialogu në baza më të qendrueshme me Korenë dhe Vietnamin dhe plotësimin e kuadrit të nevojshëm institucional për ngritjen në një nivel të ri të marrëdhënieve të Republikës së Shqipërisë me këto shtete.
Krahas kësaj, bashkëpunimi ekonomik do të jetë në qendër të këtyre bisedimeve, ku do të shkëmbehen informacione dhe do të shqyrtohen mundësitë e adoptimit të praktikave më të mira nga përvojat përkatëse.
“Haxhinasto do të ndalet në mundësitë e investitorëve japonezë dhe koreanojugorë për të investuar sidomos në fushën e energjetikës, transportit, telekomunikacionit, turizmit, si dhe për mundësitë e kompanive vietnameze në fushën e bujqësisë etj”- theksohet në njoftim.
Lidhur me qëndrimin për çështjen e Kosovës, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë qenë ndër shtetet e para që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ndaj Haxhonasto do të ndalet në mbështetjen e mëtejshme të saj nga këto vende, për pjesëmarrjen e Kosovës në organizmat ndërkombëtare, duke e inkurajuar më tej atë në rrugën e nisur të reformave integruese.
© Panorama.al











