Has: Sherri për gardhin, vëllai vret vëllanë

Jun 5, 2012 | 13:21
Policia e Kukësit

Për një gardh që ndante dy shtëpitë, vëllai qëllon për vdekje me armë zjarri vëllanë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 22:00 të së dielës në fshatin Brenokë të komunës Fajzë të Hasit. Mësohet se vëllezërit Shuti, banorë të këtij fshati, kishin disa vite në konflikt me njëri-tjetrin për pak metra tokë që i ndante gardhi. Ata nuk kishin arritur të gjenin një zgjidhje, derisa konflikti i nisur precipitoi me viktima. “Shtetasi Imer Shuti, 70 vjeç, ka qëlluar në drejtim të vëllait të tij, Ilmi Shuti, 60 vjeç, duke e lënë të vdekur në vend”, bëri të ditur Policia pas krimit të ndodhur në fshatin Brenokë. Të shtënat e armës kanë vënë në alarm fqinjët e viktimës, të cilët kanë sinjalizuar menjëherë policinë. Blutë u nisën drejt vendit të ngjarjes dhe konstatuan se sinjalizimi kishte qenë i saktë, dhe se ngjarja bënte fjalë për një viktimë të vrarë me armë zjarri. “Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e Policisë së Hasit, pasi fshati ndodhet vetëm 20 minuta larg qytetit të Krumës dhe ka bërë të mundur ndalimin e autorit të dyshuar të krimit”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kukësit. Sipas burimeve, autori 70-vjeçar ka pranuar krimin ndërsa deponoi për grupin hetimor se e kishte kryer vrasjen në gjaknxehtësi e sipër pas konfliktit që kishte pasur me të vëllamë, për një gardh që u ndante banesat. Vëllezërit pretendonin pronësinë e një rripi toke, çka ka ndikuar në zënka të vijueshme të tyre, por pa mundur të zgjidhin pretendimin e secilit për ta shtyrë paksa gardhin në drejtime të kundërta. Sipas Policisë, vrasja ka ndodhur me një pushkë 10-she, të cilën vëllai i madh e mbante pa leje. Sipas dëshmive të familjarëve, 60-vjeçari ka qenë në afërsi të banesës së të vëllait kur ky i fundit e ka qëlluar atë për vdekje. Mësohet se forca të policisë së Hasit po qëndrojnë ende në fshatin Brenokë për të evituar ndonjë hakmarrje të mundshme mes palësh, ndonëse janë familjarë të një gjaku. Prokuroria e Kukësit bëri të ditur se ka administruar të gjithë çështjen e provat dhe ka nisur procedim penal ndaj 70-vjeçarit, me akuzën e vrasjes me dashje dhe të armëmbajtjes pa leje.

© Panorama.al

Te lidhura