Hapet spitali i ri, ku do përqendrohen të gjitha urgjencat në QSUT

Nov 18, 2011 | 8:46

Pacientët nuk do të sorollaten më nga një urgjencë në tjetrën për të marrë shërbim shëndetësor. Për të gjitha llojet e problemeve ky shërbim do të jetë i përqendruar në një spital të vetëm. Investimi kolosal prej 24 milionë eurosh u inaugurua dje brenda ambienteve të QSUT-së. Vetëm aparaturat në qendrën e re të urgjencave kanë kushtuar mbi 8 milionë euro. Mënyra e re e organizimit të shërbimit të urgjencës do të sjellë mjaft lehtësi për pacientët, të cilët në dhjetëra raste përcilleshin me shprehjen “nuk je për këtu”, pavarësisht gjendjes së rënduar shëndetësore. Qendra e re e urgjencës përbën vetëm realizimin e fazës së parë nga pesë gjithsej për modernizimin e gjithë qendrës spitalore universitare “Nënë Tereza”. Në ndërtesën e re funksionojnë 93 shtretër dhe laboratorët e specializuar për të gjitha nevojat e spitalit me shërbim 24 orësh. Të pranishëm në inaugurim ishin Kryeministri i vendit Sali Berisha dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. “Reforma në Shëndetësi mbetet qëllimi më madhor në të gjitha reformat e tjera. Hapa shumë të rëndësishëm janë bërë dhe po shkojmë drejt një faze vendimtare të instalimit të sistemit të ri të financimit. Së shpejti nis zbatimi i një programi, i cili do ta vendosë sistemin tonë shëndetësor tërësisht mbi bazat dixhitale, si një nga premisat më të rëndësishme për menaxhimin e suksesshëm të tij dhe të të gjitha burimeve”, tha Berisha. Sa u përket aparaturave, departamenti i radiologjisë ka të instaluara dy aparatura skaner, një rezonancë magnetike, tri aparate për grafi dixhitale, dy aparate fluroskop, tre EKO abdominale dhe një EKO kardiake, duke mbuluar të gjitha nevojat e Spitalit Universitar.

© Panorama.al

Te lidhura