TIRANE- Ka hapur dyert mbrëmjen e së mërkurës edicioni i 14-të i Panairit të librit “Tirana 2011” .
Në hapje të tij, kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i pranishëm në ceremoni, e nisi fjalën me një konstatim; Për ne kjo është stolia më e bukur që mund të ketë qyteti ynë.
Duke e vlerësuar maksimalisht rëndësinë që libri ka në jetën personale dhe sociale të gjithsecilit, Basha tha se këtë panair qyteti i Tiranës e sheh si një festë të përvitshme midis, shkrimtarit, botuesit dhe lexuesit.
“Ne do të mbetemi të angazhuar vit pas viti në të gjitha aktivitetet e tjera që kanë në qendër librin. Tirana do të jetë një qendër e rëndësishme rajonale në shumë fusha, ky panair është një qendër rajonale, sepse i jep qytetit tonë dimensionin e merituar të dijes.”- tha Basha.
Basha shprehu kënaqësinë e tij që sheh në këtë panair shkrimtarë nga Kadareja tek Agolli, apo ndërkombëtarë nga Umberto Eko tek Orhan Pambuk.
Basha përshëndeti në mënyrë të veçantë autorët e rinj pjesëmarrës, që në këtë panair janë 40, duke u premtuar atyre mbështetje të vazhdueshme nga Bashkia e Tiranës.
Batuta e fundit e Bashës ishte një tjetër konstatim; Kemi një kthim të trendit këtë vit, dikur shkrimtarët i janë drejtuar politikës, këtë herë kemi të kundërtën, politikanët po i kthehen librit.
© Panorama.al











