“Halli i kryeministrit është të mbrojë Ballukun!”- Juglindja e bllokuar, Tedi Blushi: Pas xhiros me helikopter, Rama zgjodhi sot të fluturojë me presh

Feb 26, 2026 | 13:46

Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar për shkatërrimin e rrugës Librazhd-Përrenjas, që shkaktoi edhe izolimin e juglindjes prej gjashtë ditësh tashmë.

Tedi blushi

Nëpërmjet një mesazhi në Facebook, Blushi thotë se halli i kryeministrit Edi Rama nuk është halli i shqiptarëve, por se si të mbrojë vartësen e tij, Belinda Balluku.

“Në vend të përqendrojë çdo sekondë për të zgjidhur hallin jetik të 1/3 së Shqipërisë, që ende nuk e di kur do hapet rruga, Edi Rama zgjedh, për minuta të tëra, të ndërtojë alibinë për t’i zgjidhur hallin vetes dhe Belindën”, shkruan ai.

Deputeti i PL më tej ironizoi fjalimin e gjatë të Ramës sot para grupit të PS-së ku nuk kurseu sulmet ndaj sistemit të drejtësisë, ndërsa shprehet se “Edi Rama pas fluturimit me helikopter, zgjodhi sot të fluturojë me presh.”

Mesazhi i plotë:

Halli i Edi Ramës dhe i Belinda Ballukut nuk është halli i shqiptarëve. Halli i vërtetë i shqiptarëve është se një e treta e vendit vijon të jetë e bllokuar prej gjashtë ditësh. Teksa Juglindja mbetet e izoluar, Edi Rama shfaqet në ekran për minuta të tëra duke broçkullisur marrëzira dhe duke u shqetësuar publikisht që Belinda të mos arrestohet.

Në vend të përqendrojë çdo sekondë për të zgjidhur hallin jetik të 1/3 së Shqipërisë, që ende nuk e di kur do hapet rruga, Edi Rama zgjedh, për minuta të tëra, të ndërtojë alibinë për t’i zgjidhur hallin vetes dhe Belindën.

Ndërsa autoambulancat me të sëmurë, nga Korça drejt Tiranës, lëvizin nëpër shtigje të thepisura dhe qytetarët po paguajnë më shtrenjtë biletat, Edi Rama pas fluturimit me helikopter, zgjodhi sot të fluturojë me presh.

E vetmja rrugë, më e shkurtër, më e shpejtë dhe më e sigurt për të shpëtuar nga kjo e keqe është shembja dhe bërja copë e thërrime të këtij regjimi, njësoj si asfalti i shkërmoqur që na la trashëgim.

© Panorama.al

Te lidhura