Halimi: Verifikim dosjes së Kostandin Xhuvanit

Nov 23, 2011 | 16:57

TIRANË- Ministria e Drejtësisë ka nisur një kontroll në Gjykatën e Tiranës dhe Prokurori për rastin e dënimit të djalit të deputetes socialiste Luiza Xhuvani, që u dënua me 2 vite burg për vrasje.

Lajmin e bën me dije vetë ministri, Eduard Halimi, i cili sqaron se inspektorët do të verifikojnë dosjen në gjykatë dhe prokurori për parimin e drejtësisë dhe politikën penale të ndjekjes së saj.

Sipas tij, konkluzionet e verifikimit për këtë dosje do t’i bëhen të ditura edhe presidentit të vendit, që është njëherësh kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë.  Ndërkohë që për kontrollin mësohet se është vënë në dijeni edhe kryeprokurorja, Ina Rama.

Pak ditë më parë Gjykata e Tiranës deklaroi fajtor dhe dënoi me 2 vjet burg Kostandin Xhuvanin, djalin e artistëve Luiza dhe Gjergji Xhuvani.

I riu akuzohet për vrasjen me armë zjarri të një 26-vjeçari në Qytetin Studenti në Tiranë. Xhuvani u deklarua fajtor për veprat penale të “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të shtetasit Alfed Musabelliu dhe për “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Në të njëjtin vendim u deklarua fajtor edhe i bashkëpandehuri i tij, Albi Zela. Ai u dënua me 14 muaj burg për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. Xhuvani dhe Zela u akuzuan nga prokuroria për përfshirjen e tyre në një ngjarje të ndodhur mëngjesin e 12 shkurtit të këtij viti në rrugën “Ali Visha” në Tiranë.

© Panorama.al

Te lidhura