
Pas mesfushorit katalanas, Ksavi, është trajneri i kampionëve të Spanjës dhe të Europës, në fuqi, Pep Guardiola, që pranon realitetin: Real Madridi është më lart se Barcelona, për momentin. Gjithsesi, më tej, Guardiola ka shtuar se nuk është edhe shumë i shqetësuar rreth tri pikëve epërsi, që rivalët e përbetuar madrilenë kanë për momentin në krye të klasifikimit të La Liga-s. “Barcelona do t’i rikthehet kreut. Mund të them vetëm se ne do të përpiqemi ta përfundojmë kampionatin para tyre, duke marrë maksimumin në të gjitha ndeshjet dhe në të gjitha garat. Do ta shohim në fund të sezonit, nëse këto pikë kanë qenë të humbura në mënyrë kritike për ne, do të shohim nëse janë shumë të rëndësishme për Realin,” – tha ai.
Për më tepër, Guardiola nuk do të merret shumë me kritikat e trajnerit Mourinjo. “Nuk jap mendime mbi pasqyrat analitike apo kritike që bëjnë kolegët, unë i respektoj të gjithë trajnerët, nga i pari tek i fundit. Kurrë nuk do të ketë prej meje asnjë fjalë të mosrespektimit ndaj askujt. Personalisht përpiqem të mësoj sa më shumë nga të gjithë, sepse kam shumë respekt për të gjithë,” – shtoi Guardiola.
Në lidhje me idenë e propozuar nga presidenti i tij, Sandro Rosell, për reduktimin e “La Liga”-s spanjolle në 16 ekipe, nga 20, sa është tani, Guardiola komenton: “Unë nuk jam një lider në këtë drejtim. Që në epokën e Laportës është thënë se jemi shumë ekipe. “La Liga” ka shumë skuadra, por edhe gjithçka, sa i takon futbollit. Më duhet ta shikoj këtë gjë në drejtim të futbollit, jo të biznesit. 20 ekipe luajnë në pothuajse të gjitha ligat, por kjo s’do të thotë se kam ndonjë mendim të keq edhe për propozimin e Rosell, për 16 ekipe.”
Guardiola, gjithashtu, vlerësoi Raulin, i cili do të nderohet nga Federata Spanjolle e Futbollit, pasi ka arritur shifrën prej 100 “shkronjash kapitale”. “Rauli është një nga tre më të mirët e historisë së futbollit të këtij vendi. Unë nuk kam parë një lojtar konkurrues si ai, më vjen keq që në momentet e lavdisë së kombëtares së Spanjës nuk mundi të luajë më. Por, s’ke ç’t’i bësh, fati nganjëherë është i padrejtë. E përgëzoj federatën për këtë mirënjohje karshi një lojtari të madh spanjoll.”
© Panorama.al











