
Greqia do të votojë sërish në qershor, pasi forcat politike nuk ranë dakord për një koalicion uniteti, me gjithë përpjekjet e dëshpëruara të Presidentit grek. Presidenti Karolos Papulias ka përshkruar para liderëve të forcave më të mëdha politike situatën tragjike të vendit, por nuk arriti t’i bindë ata se zgjedhjet e reja duhet të evitoheshin. Ai theksoi rrezikun e madh të rrënimit të sistemit bankar në Greqi. Sipas informacioneve nga Presidenca greke, Papulias ka zhvilluar takime në pallatin presidencial me Kryeministrin Lukas Papademos, kreun e qeverisë teknokrate në largim, ministrin e Financave Filipos Sakinidis dhe guvernatorin e Bankës së Greqisë, Jorgo Provopoulos, të cilët që të gjithë sugjeruan se “vazhdimi i destabilitetit politik do të çojë në pasoja fatale”. Presidenti u bëri një apel dramatik liderëve politikë që të jenë “plotësisht të vetëdijshëm për situatën dhe faktin se rreziku është real”. Papulias tha: “Jam informuar nga Kryeministri, guvernatori i Bankës së Greqisë dhe ministri i Financave se pozita ‘kesh’ e vendit është katastrofike dhe ekziston rreziku i shkatërrimit të sistemit bankar nëse tërheqjet e depozitave vazhdojnë, për shkak të pasigurisë së qytetarëve të stimuluar nga situata politike”. Presidenti shtoi se ai ishte “jashtëzakonisht i shqetësuar” pasi kishte kontaktuar me presidentin e BE-së, Herman van Rompuj dhe Presidentin e Parlamentit Europian, Martin Shulz, mbi “të dhënat ekonomike europiane” dhe ka shpjeguar se “ne kemi detyrën të biem dakord”. Por ata nuk ranë dakord. Zgjedhjet e reja do të mbahen. Alexis Tsipras, lideri më i ri politik në Greqi, ka fituar gjithnjë e më shumë popullaritet me koalicionin e tij të majtë radikal, Syriza. Sondazhet tregojnë se në zgjedhjet e reja Syriza do të fitojë nga 20 në 27 për qind të votave, duke dalë forcë e parë politike.
Ndalen shpenzimet
Qeveria greke ka anuluar dje shumë prej pagesave të llogaritura të buxhetit të vitit 2012, me qëllimin për të ruajtur rezerva për pagat dhe pensionet e qershorit. Kryeministri Lukas Papademos ka nxjerrë një qarkore dërguar Bankës së Greqisë, në të cilën urdhërohet ndalimi i menjëhershëm i pagesave të programuar në buxhetin e këtij viti dhe ndalimi i blerjeve për nevojat shtetërore.











