Greqi, qeveria miraton masa të ashpra antikrizë

Sep 21, 2011 | 20:14

ATHINE- Greqia vendosi sot marrjen e masave më të ashpra për të siguruar më shumë ndihmë financiare.

Qeveria “Papandreu” vendosi të mërkurën që të reduktojë pensionet, të rris tatimin në pronë dhe të pezullojë nga puna dhjetëra mijëra punëtorë në sektorin publik.

Vendimi erdhi pas bisedimeve intensive që u zhvilluan gjatë dy ditëve të fundit me përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe autoritetet evropiane.

Greqia synon të marrë një paketë të dytë ndihmese prej 8 miliardë eurosh nga këta mekanizma-ndihmë kjo e nevojshme për të paguar shpenzimet qeveritare, përfshirë pagat në sektorin publik dhe pensionet.

Menjëherë pas marrjes së masave nga qeveria, sindikatat kanë bërë thirrje për një tjetër grevë të përgjithshme më 19 tetor.

© Panorama.al

Te lidhura