Një shtetase shqiptare 49-vjeçe është vrarë në mënyrë makabre nga një shtetas grek, i cili mban detyrën e oficerit të Policisë. Ngjarja ka ndodhur të dielën në Viotia të Greqisë, kur kalimtarë të rastit kanë gjetur në rrugë gruan shqiptare të pajetë. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, kufoma e shtetases shqiptare ishte vrarë dhe pranë saj kishte gjurmë të gomave të një automjeti. Trupi i pajetë është marrë menjëherë nga vendi i ngjarjes, ndërsa ekzaminimet shkencore gjetën se vdekja nuk kishte ardhur nga aksidenti, por nga mbytja. Më pas, duke verifikuar kontaktet e viktimës, hetuesit zbuluan lidhjen e viktimës me policin grek. Policia ka thënë se gruaja shqiptare kishte gjetur vdekjen në rrugë në zonën Skimatarit në Viotia. Pas shoqërimit të policit grek, i cili rezultoi se kishte pasur kontakte me viktimën, ai pranoi autorësinë e ngjarjes dhe më pas u mësua se vrasja kishte të bënte me xhelozinë e mosmarrëveshjet mes gruas shqiptare dhe shtetasit grek. Pas ndalimit në polici, i dyshuari grek, 32 vjeç, ka pranuar para kolegëve të tij se ka vrarë shtetasen shqiptare dhe më pas e ka hedhur kufomën e saj në rrugë për të humbur gjurmët në mënyrë që gjithçka të dukej si një aksident. Trupi i pajetë i shqiptares është gjetur rastësisht nga një kalimtar në vendngjarje. Polici nga Evia, që shërbente në Atikë, kishte lidhje dashurie me 49-vjeçaren shqiptare prej disa kohësh. Ai u arrestua për vrasjen makabër.











