
Mbrëmë u mbyll fushata zgjedhore në Greqi, për t’i lënë radhën heshtjes 24-orëshe para së dielës së votimit. Sondazhet e fundit kanë treguar se Demokracia e Re dhe Syriza janë shumë afër njëra-tjetrës. Gjithçka vendoset të dielën. Kompanitë e basteve janë të ndara në gjykime, tri prej tyre mbështesin Demokracinë e Re dhe dy Syriza-n si fituese të zgjedhjeve. Ndërsa gazeta “Financial Times”, në degën e saj në Gjermani, me një titull të shkruar në greqisht u bën thirrje grekëve të mos mbështesin “demagogun Aleksis Tsipras”, por Demokracinë e Re. “Vendi juaj duhet të qëndrojë në euro dhe zgjedhjet e së dielës janë historike pikërisht për këtë, për të ardhmen e Bashkimit Monetar Europian. Grekë të dashur, votoni për procesin e reformave të guximshme, rezistoni ndaj demagogjisë së Alexis Tsipras dhe Syriza-s. Alternativa më e mirë për vendin tuaj do të jetë një qeveri koalicioni, por jo e udhëhequr nga Tsipras”, thuhet në “Financial Times”.











