
Bisedimet mbi ristrukturimin e borxhit të Greqisë kanë dështuar dje, një ndërprerje e papritur që rrezikon më shumë të nxisë falimentimin e Greqisë. Nëse kjo ndodh, Greqia do të ishte vendi i parë i zhvilluar në më shumë se 60 vjet që vuan nga paaftësia e plotë për të paguar borxhet e saj. Negociatorët kryesorë për mbajtësit grekë të obligacioneve thanë se oferta e fundit e bërë nga Athina “nuk ka prodhuar një përgjigje konstruktive të konsoliduar nga të gjitha palët”, një referencë e qartë për përfundimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar se humbjet e mbajtësve të obligacioneve duhet të rriteshin ndjeshëm ose një paketë e dytë shpëtimi për Greqinë duhet të ishte më e madhe nga sa ishte parashikuar fillimisht, 130 miliardë euro. Negociatorët e qeverisë kanë kërkuar me ngulm për pagesa interesi, që do t’i bënte bonot e reja të vlenin edhe më pak se “qethja” 50 për qind në vlerën nominale të bonove, gjë që ka revoltuar shumë mbajtës borxhi të përfshirë në bisedime. “Në rrethana të tilla, ne jemi të detyruar të ndërpresim bisedimet me Greqinë për t’i lejuar të reflektojë një marrëveshje të arsyeshme me mbështetjen e zonës euro”, tha Charles Dallara, drejtor i Institutit Internacional për Financat, dhe Jean Lemierre, i “BNP Paribas”, të cilët kanë negociuar në emër të bankave dhe institucioneve të tjera financiare që mbajnë borxhin grek, në diskutimet për “qethjen” e 50 për qind të borxhit që Greqia u detyrohet atyre. Sipas “Financial Times”, lajmet e këqija për eurozonën nuk mbarojnë këtu, sepse vlerësuesja e aftësisë paguese të shteteve, “Standard & Poor’s”, ka paralajmëruar se do të ulë vlerësimin me tri A për dy nga gjashtë vendet e eurozonës që e kanë këtë vlerësim për shkak të krizës së borxhit. Një zyrtar i kësaj agjencie ka deklaruar për FT në kushte anonimiteti, se Francës dhe Austrisë mund t’i ulet vlerësimi, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht nga agjencia dhe as nga qeveritë e këtyre vendeve.











