
GJIROKASTËR – Familjarët e shtetasit grek, Ilija Kondojanis, i cili u deklarua i vetëvrarë tri ditë më parë, kanë kërkuar autopsinë e kufomës së tij, pasi dyshojnë për një vrasje të mundshme. Ka qenë një kërkesë e dorëzuar zyrtarisht në Ambasadën Greke në Tiranë, nga ana e djemve të të ndjerit 62-vjeçar, ku kërkohet me ngulm kryerja e analizave dhe ekspertimit të detajuar mjekësor në trupin e të ndjerit, për të vërtetuar plotësisht nëse ngjarja ka qenë vrasje apo vetëvrasje. Kërkesa është formuluar dhe mban firmën e të birit të madh të Kondojanisit, i cili është funksionar në Policinë e Athinës. Kësaj kërkese i është bashkuar edhe shoqëria e shtetasit grek, të cilët kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare daljen në dritë të fakteve reale dhe motivet që kanë çuar në humbjen e jetës së inxhinierit 62-vjeçar. Dje në Memaliaj, qyteti ku ndërroi jetë viktima, ishte parashikuar të vinin familjarët e të ndjerit, por kjo deri në orët e pasdites nuk u realizua për shkaqet që ende nuk dihen. Trupi i pajetë i Kondojanisit është mbajtur në morgun e spitalit të Memaliajit për 12 orë, në pritje për t’u varrosur. Por ka qenë një kërkesë e mbërritur në qytet nga ana e Ambasadës Greke në Tiranë, çka detyroi dërgimin e kufomës me urgjencë në kryeqytet, për t’iu nënshtruar një autopsie, ashtu siç kanë kërkuar djemtë dhe gruaja e parë e të ndjerit Kondojanis. Policia e Tepelenës ishte e para që shkoi në vendngjarje kur këputi litarin që ishte mbledhur në fytin e 62-vjeçarit dhe, ashtu siç ishte, u dërgua pa u ngacmuar në morgun e spitalit në Memaliaj. Mjeku eksperto-ligjor, nuk arriti të certifikonte vdekjen e 62-vjeçarit nga rrethanat e ndryshme, pasi mbërriti kërkesa për dorëzimin e kufomës për ekspertizë në Tiranë. Një fakt i ri, i cili ka dalë në dritë një ditë pas ngjarjes, çka i mëshon faktit se ka qenë vetëvrasje, është ajo e ekzistencës së një letre lamtumire e lënë nga vetë Kondojanis, pak minuta para se të kryente aktin. Në këtë letër të shkruar në greqisht, ai shprehte dhimbjen që kishte mbajtur për dy vite me radhë, si pasojë e humbjes së jetës së të shoqes shqiptare dhe u kërkonte djemve të tij ta falnin për këtë akt që kishte ndërmarrë. Në fund, amaneti i tij ka qenë që ai të groposej krah varrit të së shoqes, që humbi jetën në aksident. Pas autopsisë që pritet të kryhet në kryeqytet, do të mësohet nëse djemtë e të ndjerit, do të vënë në jetë amanetin e fundit të atit të tyre për ta përcjellë në banesën e fundit përkrah njerkës së vdekur, apo do ta tërheqin trupin në Greqi për ta varrosur në Athinë. p.n
Vetëvrasja
Tri ditë më parë, shtetasi grek i dha fund jetës duke u vetëvarur e më pas duke qëlluar veten me pistoletë. Ai kishte lënë shënime dhe pothuajse e kishte paralajmëruar ngjarjen, për shkak se një vit më parë, në të njëjtën datë, i kishte vdekur gruaja shqiptare. Viktima ishte martuar me këtë grua dhe jetonte në Shqipëri prej disa kohësh, ndërsa Policia deklaroi se shtetasi grek kreu vetëvrasje.











