
TIRANË- Kreu i prezencës së OSBE-së, në vendin tonë, ambasadori Eugen Volfarth ka deklaruar sot se përfaqësimi i grave në politikë është shumë i vogël dhe në këtë drejtim partitë kanë bërë shumë pak. Në konferencën e sotme për rritjen e rolit të gruas në vendimmarrje, në panel janë të pranishëm krahas Volfarthit, kryeparlamentarja, Jozefina Topalli, kreu i PS-së, Edi Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta dhe ministri i Punës, Spiro Ksera.
“Është bërë progres, por jo shumë i pasur për sa i takon rolit të gruas në qeverisje. Është e rëndësishme të jenë 30% e grave në vendimmarrjes sidomos në sistemin politik, për të pasur përfaqësimin e grave në ligjbërje. Partitë politike kanë bërë pak për të bërë një përfaqësim të madh të grave në politikë”- tha Volfarth, duke shtuar se gratë vazhdojnë të jenë të papërfaqësuara në politikë.
Sipas tij, palët politike duhet të bëjnë më shumë për të pasur një përfaqësim më të madh në listat elektorale. Ai ka kërkuar që politika t’u japë mundësitë e nevojshme grave që të jenë pjesëmarrëse, pasi ky është një ndër elementet kyc të demokratizimit në Shqipëri.
Rama: Pse ka burra shkatërrues, duhen më shumë gra krijuese në politikë
Duke e quajtur privilegj të merrte fjalën para shumë grave duke qenë burrë, Rama ka pohuar se sikur parlamenti të kishte këtë përbërje do të ishte shumë më i efektshëm. “Jam i bindur që sa më shumë gra të përfshihen në vendimmarrje aq më e pakorruptuar do të ishte ajo. Sot krahasuar me disa vite më parë ka përmirësim edhe pse të pamjaftueshëm”- tha Rama. Sipas tij, kuota në listat e zgjedhjeve ishte një hap i domosdoshëm, megjithëse në pikëpamjen e PS do të duhej një formulë e ndryshme, një kuotë horizontale, nëse çdo parti politike merr përsipër e detyruar edhe nga ligji një pjesëmarrje 30% të grave, kjo duhet të ishte në linjë horizontale.
“Është koha për ta vënë në jetë, me ndihmën e grave të forta në PD mund të bëjmë diçka për të influencuar burrat shkatërrues si thotë Jozefina”- tha ai.
Sipas tij, duhen bërë sforco për kuotat në fshat, për të nxitur jo vetëm njëri tjetrin si forca politike për rritjen e pjesëmarrjes së grave në vendimmarrje, por edhe politika që e shtyjnë sipërmarrjen drejt qasjes së duhur ndaj këtij problemi të madh.
“Nuk mund të kemi ekonomi të fortë nëse kemi pabarazi dramatike gjinore. Jam dakord me atë që tha Jozefina që gruaja është krijuese, por burrin mos ta quajmë shkatërrues, por bashkautor. Pse ka burra shkaterrues, duhen me shume gra krijuese ne politike”- tha ai.
Meta: Kuota mbrojtëse, por nuk zgjidh gjithçka
Kreu i LSI-së, e ka cilësuar përcaktimin e kuotës 30% mbrojtëse ndaj mentalitetit që vjen nga e shkuara, por jo zgjidhje të gjithçkaje për një përfaqësim të drejtë. “Që nga krijimi i LSI kemi garantuar pjesëmarrje në 30% të grave dhe vajzave, 20% direkt nga forumi i gruas dhe 10% nga LRI që ka të garantuar 20% të përfaqësimit në të gjitha forumet e LSI”- tha Meta, duke vlerësuar nismën e OSBE-së.
Sipas tij, kuotat të jenë mbrojtëse ndaj një tendence që ekziston në shoqërinë tonë për të mbrojtur gjysmën më të rëndësishme të popullsisë nga një mentalitet që vjen nga e kaluara. “Me përmirësimin e kuotave nuk është gjithçka e zgjidhur, theksoj forcimin ekonomik të pozitës së gruas, mbështetja e grave sipërmarrëse duhet të jetë prioritet i çdo qeverie, force politike dhe përparësi i duhet kushtuar mbështetjes së grave kryefamiljare”- tha ai.
© Panorama.al











