Grabiten në Gjirokastër 27 ikona 200-vjeçare

Nov 27, 2011 | 11:37

GJIROKASTER/ Në kërkim autori, mori 27 ikona. Dëmtoi edhe varret e rilindësve.

Dëmtohet gjatë natës ikonostasi i kishës së Shën Thanasit.

Grabiten 27 ikona në kishën e Shën Thanasit në fshatin Bularat në Dropullin e Poshtëm të Gjirokastrës. Policia bëri të ditur se autor i kësaj grabitjeje është shtetasi Niko Cokaj, nga Skrapari. “36-vjeçari rezulton me precedentë të mëparshëm, pasi është edhe autor i shkatërrimit të varrezave të rilindësve në Gjirokastër, si dhe i varrezave të fshatit Bularat, 30 ditë më parë”, bëri të ditur Policia. Vjedhja e ikonave mbi 200-vjeçare u zbulua mëngjesin e djeshëm nga kujdestari i kishës së Shën Thanasit, i cili vuri në dijeni menjëherë policinë. Kujdestari kishte gjetur të shqyer derën e kishës, ndërsa kishte konstatuar dëmtimin e  ikonostasit. Grupi hetimor, i cili shkoi në vendngjarje, konstatoi dëmtimin e hekurave të dritares së kishës përmes përdorimit të një kazme. Në brendësi të objektit kishtar ortodoks u vërejt dëmtimi i ikonostasit, si dhe grabitja e 27 ikonave që e përbënin atë. Sipas grupit hetimor, kisha është vjedhur gjatë orëve të natës fill pas ndërprerjes së dritave, çka u dha mundësi keqbërësve të futeshin pa problem brenda kishës dhe më pas të dilnin nga porta kryesore. Mbi bazën e provave materiale të grumbulluara në vendngjarje, u arrit të dokumentohej me prova ligjore dhe identifikohej si autor i vjedhjes, 36-vjeçari Niko Cokaj. Mësohet se një muaj më parë, ai është proceduar penalisht në gjendje të lirë nga Prokuroria, pasi dyshohej se ishte dhunues i varreve të rilindësve. Ndërkohë ai ishte kapur në flagrancë edhe nga banorët e Bularatit brenda varrezave, në momentin kur përpiqej të vidhte pjesë bronzi dhe bakri me qëllim për t’i shitur ato. Policia bëri të ditur se po punon për kapjen e 36- vjeçarit nga Skrapari, si dhe të dy bashkëpunëtorëve të tij në vjedhjen e kishës, që mendohet se janë nga Libohova. Policia ka nisur një seri hetimesh me metoda speciale, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Gjirokastrës, për të zbuluar dhe dokumetuar destinacionin përfundimtar të ikonave, jo vetëm të kësaj kishe, por edhe të disa kishave të tjera, të cilat kanë qenë objekt i grabitjeve.

10 here
në harkun e tri viteve të fundit, kisha e Shën Thanasit, është bërë pre e grabitjeve të ikonave dhe objekteve të tjera qindravjeçare brenda saj. Thuajse në të gjitha rastet, policia ka arritur të arrestojë autorët

GJIROKASTER/ PIRO NASE

© Panorama.al

Te lidhura