Zvarritjent në reforma dhe mosbashkëpunimi politik janë dy nga problemet që shqetësojnë Shtete e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë.
Kështu është shprehur ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Filip Gordon, i cili tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të shqetësuara për ngërçin e tejzgjatur politik në Shqipëri.
“E kemi nxitur qeverinë të miratojë rekomandimet e BE-së dhe OSBE-së për reformë, si edhe të bëjë përpjekje realiste dhe të prekshme për të përfshirë opozitën dhe për të pranuar kompromisin si pjesë e procesit politik. Në të njëjtën kohë, kemi nxitur opozitën të jetë e përgjegjshme dhe e gatshme – gjë e cila, në një demokraci të pjekur, kërkon pjesëmarrje të plotë dhe aktive në parlament.”- është shprehur Gordon në një vlerësim për gjendjen aktuale në Ballkan.
Sipas Gordon, Shqipëria pas dy vitesh ngërçi, duhet që drejtuesit politikë të kapërcejnë grindjet vetjake dhe të bëjnë përparim konkret me programin e reformës ose përndryshe do të rrezikojnë të humbasin hovin e mëtejshëm.
Më tej Gordon tha se , SHBA janë duke vepruar si partnerë me Bashkimin Europian, qeverinë shqiptare dhe shoqërinë civile për shqyrtimin e 12 reformave me përparësi që nevojiten për pranimin në BE”.
Deklarata e Gordon vjen në një kohë kur mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për ngritjen e komisionit të përbashkët për reformën zgjedhore, si dhe miratimin e ligjeve me 3/5-at.
© Panorama.al











