Goditja e grupit të Inez Hajrullës, SPAK zbardh episodet e trafikut të drogës: Aktiviteti ushtrohej në disa vende të BE! Ja si u organizuan vrasjet e Gentjan Qarri dhe Bledar Birçaj dhe roli i të akuzuarve

Mar 7, 2026 | 16:56

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka zbardhur detaje nga goditja e grupit kriminal të Inez Hajrullës, me bazë në Vlorë, i përfshirë në vrasje të rënda dhe trafikun ndërkombëtar të drogës, me aktivitet të shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian.spakSPAK thotë në njoftim se në total janë lëshuar 8 urdhër arreste për veprat penale të trafikut të lëndëve narkotike, grupit të strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, si edhe pastrim parash. Nga këta, janë ekzekutuar masat e arrestit në burg për 3 persona, njëri prej të cilëve është aktualisht i arrestuar në Zvicër, ndërsa 5 të tjerë vijojnë në kërkim.

Të arrestuar:

Oficeri i Policisë Rezart Kuci – akuzë për shpërdorim detyre, trafik droge dhe grup kriminal
Flodian Plaku, i njohur si Pole Qorri – arrest me burg – akuzë për trafik droge (aktualisht në burg për vrasjen e Gentian Bejtjas)
Hamëz Demushi – ish-punonjës policie – arrest me burg – akuzë për trafik droge (i arrestuar në Zvicër)

Në kërkim janë:

Inez Hajrulla – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Ervis Matodashaj – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit
Argest Xheza – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Arben Memishaj – arrest me burg – akuzë për trafik droge
Mendu Duka – arrest me burg – akuzë për trafik droge

VRASJA E GENTIAN QARRIT

SPAK thotë se Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj, në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të grupit, kanë organizuar ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët për vrasjen e Gentian Qarrit në 6 shkurt 2021 në Vlorë. Ata kanë dhënë kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me  monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.

Vrasja e BLEDAR BIRÇAJ

Bledar Birçaj u ekzekutua më 10 maj 2021 në lagjen “Hajro Çakërri” të Vlorës. Sipas hetimeve të SPAK, Inez Hajrulla, Ervis Matodashaj dhe disa persona të tjerë të paidentifikuar ndërmorën një seri veprimesh për të realizuar vrasjen. Ata siguruan të gjitha kushtet dhe përdorën mjete teknike, përfshirë kamera survejimi, për të monitoruar vazhdimisht lokalin “The Boss”, në pronësi të Bledar Birçajt, si dhe lëvizjet, oraret dhe shoqërinë e tij. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit.

EPISODET E DROGËS

Në portin e Roterdamit në Holandë u kapën 750 kg kokainë, e porositur në Ekuador nga Flodian Plaku, i cili përdorte disa identitete, në bashkëpunim me Mendu Dukën dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e BE-së. Sipas SPAK, grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për të financuar dhe transportuar lëndët narkotike.

Gjithashtu, 14 kg kokainë u sekuestruan në Patra, brenda një kamioni që vinte nga Holanda. Komunikimet zbuluan se në këtë transport ishte planifikuar të dërgohej edhe një ngarkesë tjetër drejt Italisë, e organizuar nga Argest Xheza në bashkëpunim me persona të tjerë të grupit.

Në dhjetor të vitit 2020, u sekuestruan në Gjermani 400 kg kokainë të trafikuar nga SPANJA. Sipas Prokurorisë,  porositës dyshohet të jetë polici Rezart Kuci, në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transportin e drogës.

227 kg kanabis u kapën në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020, ndërsa 500 kg u sekuestruan në Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.

ROLI I POLICIT REZART KUCI

SPAK thotë se polici përdorte pocizionin e tij për të mbështetur aktivitetin kriminal të grupit të Inez Hajrullës. Ai dyshohet se siguronte logjistikë për transportin e drogës, siguronte informacion mbi kontrollet policore, ndërhynte në pajisje celulare për të fshirë të dhëna të rëndësishme për hetimin dhe përdorte në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS. Gjithashtu, polici komunikonte me anëtarët e grupit përmes aplikacioneve të koduara.

Njoftimi i plotë: 

SPAK godet një grup të strukturuar kriminal me bazë në Vlorë, i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe kryerjen e krimeve të rënda

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar një hetim të gjerë ndaj një grupi të strukturuar kriminal, me bazë në qytetin e Vlorës dhe me aktivitet të shtrirë në disa vende të Bashkimit Europian.

Hetimet janë bazuar në komunikimet e koduara SKYECC si dhe veprimet e tjera hetimore.

Përmes tyre është zbuluar se ky grup kriminal është përfshirë në krime kundër personit, trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Në kuadër të procedimit penal 152 të vitit 2022, Prokuroria e Posaçme po heton veprat penale: “Trafikim i lëndëve narkotike” kryer në bashkëpunim në formë të grupit të strukturuar kriminal parashikuar nga nenet 283/a dhe 28 pika 4 të Kodit Penal “Grup i strukturuar kriminal” parashikuar nga neni 333/a të Kodit Penal “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 i Kodit Penal si dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.

Pas kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, me vendimin nr. 13, datë 5.3.2026, ka caktuar masën e sigurimit personal “arrest në burg” për 8 shtetas shqiptarë.

Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar masat e sigurimit për 3 shtetas, një prej të cilëve ndodhet aktualisht i arrestuar në Zvicër. Vijon puna për kapjen dhe ekzekutimin e masave të sigurimit për 5 persona të tjerë.

Personat ndaj të cilëve është ekzekutuar masa “arrest në burg” janë:

  • R.K., oficer policie
  • F.P., alias F.S., alias F.M., alias F.S.

Ndërsa shtetasi:

  • H.M. është arrestuar në Zvicër.

Për interes të këtij hetimi, SPAK ka marrë miratimin e Gjykatës së Posaçme për kontrollet ndaj personave të dyshuar, disa banesave dhe automjeteve të cilat janë ende në vijim.

Gjatë hetimit të këtij procedimi janë dokumentuar faktet penale si më poshtë:

  1. “Vrasja me paramendim”, parashikuar nga nenin 78, paragrafi 2 i Kodit Penal në dëm të shtetasit Gentjan Qarri më datën 6 shkurt 2021 në qytetin e Vlorës, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit kriminal,Grupi i strukturuar kriminal dhe “Kryerje e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga nenet 28/4, 333/a dhe 334 paragrafi i parë të Kodit Penal.

Të hetuarit I.H dhe E.M, në bashkëpunim me pjestarë të tjerë të grupit të strukturuar kriminal kanë organizuar, ndërvepruar dhe koordinuar në kohë reale me ekzekutorët, me qëllim realizimin e vrasjes dhe kanë dhënë udhëzime operative që kishin të bënin me  monitorimin e viktimës, sigurimin e automjeteve dhe kryerjes së vrasjes, fshehjen e autorëve dhe djegien e automjetit me të cilin janë larguar autorët.

  1. Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasi B.B

Nga analiza e komunikimeve, rezulton se I. H. dhe E. M. si dhe shtetas të paidentifikuar deri në këtë fazë të hetimit, në bashkëpunim me njeri- tjetrin, kanë ndërmarrë një seri veprimesh të qëllimshme, për të realizuar vrasjen e shtetasit B. B. Ata kanë siguruar të gjitha kushtet dhe kanë përdorur mjete teknike, si kamera survejimi dhe kanë vëzhguar lokalin “The boss” në pronësi të shtetasit B. B., për të monitoruar në mënyrë të vazhdueshme lëvizjet, oraret dhe personat, me të cilët shoqërohet. Gjithashtu rezulton se ata kanë hartuar një plan konkret për mënyrën dhe vendin e ekzekutimit. Shtetasi B. B. është ekzekutuar më datë 10 maj 2021, në lagjen ‘Hajro Çakërri’, në Vlorë.

Gjatë hetimeve dhe analizës së komunikimeve të koduara në SkyECC, Byroja Kombëtare e Hetimit ka dokumentuar disa raste të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sekuestrime të konsiderueshme:

  • Në portin e Roterdamit në Holandë është sekuestruar një sasi prej 750 kilogramë kokainë, e porositur në Ekuador nga shtetasit F.P (me disa identitete) në bashkëpunim me M.D dhe persona të tjerë të paidentifikuar, me destinacion vendet e Bashkimit Europian. Hetimet tregojnë se grupi kishte krijuar një mekanizëm financiar të sofistikuar për financimin dhe transportin e drogës.
  • Gjithashtu, rreth 14 kilogramë kokainë janë sekuestruar nga Policia Greke në Patra, brenda një kamioni që udhëtonte nga Holanda. Nga komunikimet rezulton se në këtë mjet transportohej edhe një ngarkesë tjetër droge me destinacion Italinë, transport i organizuar nga A.Xh. në bashkëpunim me persona të tjerë.
  • Në një tjetër rast, 400 kilogramë kokainë të trafikuar nga Spanja drejt Gjermanisë në dhjetor 2020 janë sekuestruar nga autoritetet gjermane. Sipas hetimeve, porositës dhe posedues të kësaj sasie dyshohen të jenë shtetasit R.K., oficer policie (i cili më parë ka mbajtur detyra në DVP Vlorë, Fier, Tiranë dhe Kukës), dhe A.M., në bashkëpunim me anëtarë të tjerë të grupit kriminal, të cilët kishin investuar edhe në mjete lundruese për transport të drogës.
  • Po ashtu janë dokumentuar edhe sekuestrime të lëndëve narkotike të llojit cannabis sativa, përfshirë 227 kilogramë të sekuestruara në pikën doganore Ipsala në Turqi në korrik 2020 dhe rreth 500 kilogramë të sekuestruara në vendkalimin kufitar Bogorodicë në Maqedoninë e Veriut, në mars 2021, të cilat dyshohet se transportoheshin përmes kamionëve drejt Turqisë përmes Greqisë.

Sipas hetimeve, grupi kriminal kishte ngritur mekanizma të sofistikuar financiarë për të realizuar pagesat dhe për të financuar blerjen e lëndëve narkotike në Amerikën Latine, ndërsa transporti kryhej përmes rrugëve detare dhe tokësore drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Përfshirja e oficerit të policisë

Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi R.K., me detyrë oficer policie, dyshohet se ka përdorur funksionin e tij për të ndihmuar aktivitetin kriminal, duke:

  • siguruar logjistikë për transportin e lëndëve narkotike;
  • nxjerrë informacione konfidenciale mbi kontrollet policore;
  • ndërhyrë në pajisje celulare duke fshirë të dhëna me interes për hetimin;
  • përdorur në mënyrë të paligjshme sistemin TIMS për interesa të personave të përfshirë në aktivitet kriminal;
  • përdorur komunikim të koduar në aplikacionin SKYECC.

Ky operacion është realizuar falë një bashkëpunimi të ngushtë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar mes SPAK, Europol, Eurojust, DEA dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Europian. Prokuroria e Posaçme falenderon hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, Policinë e Shtetit dhe Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për mbështetjen gjatë ekzekutimit të masave të sigurisë.

Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale si dhe për identifikimin e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

© Panorama.al

Te lidhura