Goditja e grupit të Inez Hajrullës, i ‘forti’ i Vlorës dhe Ervis Matodashaj të përfshirë edhe në vrasjen e Bledar Birçaj! Zbardhen emrat e personave që SPAK lëshoi urdhër arreste dhe akuzat ndaj tyre

Mar 7, 2026 | 15:53

Zbardhen detaje të reja lidhur me operacionin e SPAK këtë të shtunë në Vlorë, ku u godit grupi kriminal i Inez Hajrullës. Në total, SPAK lëshoi 8 urdhër arreste për anëtarët e grupit kriminal të të fortit të Vlorës.

Vrasja e Bledar Birçaj
Vrasja e Bledar Birçaj

Përveç vrasjes së Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur 5 vite më parë, Inez Hajrulla dhe krahu i djathtë Ervis Matodashaj rezultojnë të përfshirë edhe në ekzekutimin e Bledar Birçajt, i vrarë në Vlorë në 10 maj 2021.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se ata janë zbuluar nga bisedat në SkyEcc dhe akuzohen për sigurim kushtesh për vrasjen e Birçajt. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e të gjithë personave që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e biznesmenit nga Vlora.

8 urdhër arrestet e lëshuara nga SPAK:

Inez Hajrulla – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit

Ervis Matodashaj – arrest me burg – akuzë për vrasjen e Gentian Qarrit

Flodian Plaku, i njohur si Pole Qorri – arrest me burg – akuzë për trafik droge

Hamëz Demushi – ish-punonjës policie – arrest me burg – akuzë për trafik droge

Argest Xheza – arrest me burg – akuzë për trafik droge

Arben Memishaj – arrest me burg – akuzë për trafik droge

Mendu Duka – arrest me burg – akuzë për trafik droge

Rezart Kuci – akuzë për shpërdorim detyre, trafik droge dhe grup kriminal

Grupi i Inez Hajrullës akuzohet edhe për vrasjen e Gentian Qarrit, ngjarje e ndodhur në vitin 2021. Hajrulla dhe Matodashaj i kanë shpëtuar arrestimit, ndërkohë që nga personat e tjerë për të cilët SPAK lëshoi urdhër arrest, dy prej tyre rezultojnë të arrestuar më herët në Itali, ndërsa një tjetër është ndaluar në Janinë të Greqisë.

Punonjësi i policisë Rezart Kuçi, shef seksioni në policisë shkencore në Kukës, ra në pranga për 3 vepra të rënda penale, shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.

Vrasja e Gentian Qarrit

Ekzekutimi i Gentian Qarri ndodhi mbrëmjen e 6 shkurtit 2021 në Vlorë. Sipas hetimeve, autorët qëndruan për rreth 10 minuta në rrugë duke pritur momentin që Qarri të dilte nga një gomisteri pranë dhe të shkonte drejt një lokali. Nga pamjet filmike të sekuestruara nga Prokuroria e Vlorës, rezultoi se autorët ndodheshin në një automjet tip Toyota Yaris. Sapo Qarri është shfaqur, ndaj tij është qëlluar me breshëri automatiku nga brenda automjetit në lëvizje. Në total u qëlluan rreth 20 plumba, nga të cilët 6 e goditën në trup. Qarri ishte kthyer në Vlorë rreth tre vite para ngjarjes, pasi kishte vuajtur dënimin në Itali me 11 vite burg për trafik droge.

Vrasja e Bledar Birçaj

Bledar Birçaj, 40 vjeç, u vra në një atentat të organizuar në Vlorë në vitin 2021, në zonën e njohur si Bishti i Kalldrëmit. Ai u qëllua me mbi 30 plumba teksa ndodhej në automjetin e tij tip BMW X5, ku 7 prej tyre i shkaktuan vdekjen. Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanjë dhe pista kryesore e hetimeve lidhej me përplasjet mes grupeve kriminale për trafik droge.

Emri i tij ishte i njohur për policinë. Në vitin 2011 ai ishte arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje, ndërsa më herët, në vitin 2010, ishte proceduar penalisht pasi bashkë me vëllanë e tij akuzohej për dhunimin e një juristi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Birçaj ishte gjithashtu pronar i një lokali në Vlorë.

© Panorama.al

Te lidhura