Godelli, medalje ari në Europianin rumun

Sep 14, 2011 | 11:46

Në kryeqytetin e Rumanisë, Bukuresht, po zhvillohet Kampionati Europian i të Rinjve dhe 23-vjeçarëve, në të cilin merr pjesë me 3 sportistë edhe Shqipëria. Dhe i pari që është ngjitur të martën në pedanë, ishte pikërisht Daniel Godelli, i cili ka konkurruar në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg për të rinjtë. Godelli ka triumfuar edhe në Europianin e Bukureshtit. Pasi ngriti me sukses 139 kg në provën e parë në stilin e shkëputjes, 19-vjeçari ka dështuar në provën e dytë me 141 kg, por ai ka korrigjuar veten në provën e tretë, po me 141 kg, duke marrë vendin e parë dhe medaljen e artë në stilin e shkëputjes, duke lënë prapa moldavin Artiom Pipa dhe gjeorgjianin Giorgi Lomtadze, me nga 140 kg. Megjithatë, dëmtimi në provën e parë të shtytjes me 166 kg, i ka mohuar Godellit shansin për medalje në këtë stil dhe në dygarësh. Kjo i ka dhënë mundësi moldavit Artiom Pipa të shpallet kampion i Europës në këtë peshë. Godelli është ngjitur në pedanë në orën 15:00, ndërsa 4 orë më pas, po në kategorinë e peshës trupore deri në 69 kg, por në garimin e 23-vjeçarëve, do të jetë radha e Briken Caljes.

© Panorama.al

Te lidhura