Kryeministri Edi Rama hodhi akuza të forta ndaj opozitës pas protestës së mbrëmshme, ku nuk i shpëtoi molotovëve edhe vila e ish-diktatorit Enver Hoxha.
Reagimin ai e bëri pasi ka vizituar ambientet e ish-vilës së diktatorit Enver Hoxha, e kthyer në rezidencë për artistët e huaj, nën fondacionin ‘Art Explora’.
Ndërsa e cilësoi sulmin të rrezikshëm, ai bëri përgjegjëse PD-në dhe deputetët e saj që i krahasoi me “hunj gardhi”, kurse protestuesit e dhunshëm si “të verbër të paguar”. Gjithashtu bëri përgjegjës edhe gjyqtarët që i lirojnë protestuesit sa herë që Policia i arreston.
“Artistët ishin të traumatizuar. I një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush”, shkruan mes të tjerash kryeministri në statusin e tij në rrjetin X.
Rama vijoi duke kritikuar gjyqtarët që lirojnë “zjarrvënësit e rrezikshëm”, që sipas tij, “sa herë arrestohen nga policia, janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma”.
Reagimi i plotë i Edi Ramës:
“Sapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër i një grushti të verbërish të paguar për të frikësuar qytetin dhe njollosur Shqipërinë, nën udhëheqjen e një ligësire kriminale tetëdhjetë e kusur vjeçare, që mban nga pas ca hunj gardhi me status deputeti, e që vjen vërdallë si i marri i lagjes nëpër Tiranë, ndërkohë që s’ia var më thuajse askush!
Gjykatësit që i lirojnë këta zjarrvënës të rrezikshëm, sa herë arrestohen nga policia janë bashkëpërgjegjës për këto vandalizma të pandodhura askund në Europë me bekimin e nën hyqmin e një partie parlamentare, në selinë e të cilës nuk flitet për ide e programe, po bëhen vetëm plane dhune dhe bomba artizanale!
Turp për çdo gjykatës që rinxjerr në rrugë këta keqbërës të Shqipërisë dhe turp për qeverisjen e gjyqësorit që rri e vështron sikur Shqipëria nuk është edhe atdheu i saj!”.
© Panorama.alSapo dola nga rezidenca e artistëve në ish-shtëpinë e diktatorit, ku prej kohësh tanimë fondacioni prestigjoz Art Explora mikpret të rinj të talentuar nga Shqipëria, Kosova e mbarë bota, të cilët i gjeta të traumatizuar nga çmenduria e barbarisë së mbrëmshme.
Një sulm i verbër… pic.twitter.com/a3IEPuzqld
— Edi Rama (@ediramaal) March 1, 2026












